Arbëri

Zemaj: Në Qeverinë Haradinaj po harrohet skandali nga skandali

Descriptive Text

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se në Qeverinë Haradinaj po prodhohen vetëm skandale dhe ato po harrohen vetëm duke u mbuluar nga një tjetër skandal i ri.

Ai ka thënë se deportimi i gjashtë shtetasve turq është vetëm vazhdimësi e skandaleve.

“Ne kemi thënë para se të vijë ky skandal se kjo qeveri do të prodhojë vetëm skandale. Është tentuar zhbërja e Speciales, falja e borxheve, po harrohet skandali nga skandali. Nuk e kemi paragjykuar këtë skandal që është futje e një hierarkie. Me këtë kompozim politik kemi qenë dyshues se kjo qeveri nuk do ta ketë jetëgjatësinë e saj siç pretendohet sepse është e dëmshme për vendin”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Zemaj ka shtuar se LDK-ja do të kërkojë zgjedhje kur të sigurohet se do të ketë shumicën që mund ta çojë vendin në zgjedhje.

Akuzat e vazhdueshme ndaj LDK-së për zgjedhjen e Hashim Thaçit president, Zemaj i ka quajtur vetëm panikë e humbjes së peshës politike brenda Kuvendit nga Vetëvendosje. Sipas tij, “çakordimi i grupit parlamentar i VV-së dhe mungesa e potencialit që të sulmohet qeveria dhe ekzekutivi po bën që abuzimi të kalojë ka LDK-ja”.

Ai ka thënë se ka tendencë që të politizohet tejskajshëm pse LDK-ja s’po jep nënshkrime për hetimin e SHIK-ut. Zemaj ka thënë se duhet të kërkohen nënshkrimet e PDK-së sepse “vetë lideri i kësaj partie ka garantuar hetimin e SHIK-ut”. Ai ka thënë se Vetëvendosje ka kërkesë të pasinqertë në këtë rast.

Formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e deportimit të “gylenistëve”, Zemaj ka thënë se LDK-ja e ka propozuar pasi ka parë se “ekzekutivi ka dështuar në punën e vet”.

Zemaj ka shtuar po ashtu se dëbime të shtetasve turq si ajo e fundit, nuk do të kishte mundësi të ndodhnin në qeverinë e LDK-së.