Arbëri

Rashiq: Po të ishte Haradinaj kryeministër në Japoni, do të duhet të bënte vetëvrasje

21:40 - Nenad Rashiq, ish-ministër serb në Qeverinë e Kosovës dhe kryetar i partisë Demorkatike Progresive në Rubikon të KTV-së e ka përmendur Milan Radojiçiqin, si “negociator ekskluziv të Listës Serbe”.

Madje ai thotë se kjo përgjegjësi i është vënë pikërisht nga Lista Serbe.

“Fakti që kryeministri Haradinaj thotë se e ka mik, për të cilin disa thonë që është kriminel, dhe ai prapë e merr si normale, koment shtesë nuk kam”, ka thënë ai.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Haradinaj, ai e ka shpjeguar se çka do ndodhte nëse Haradinaj do ishte kryeministër në Japoni.

“Nëse një kryeministër japonez do ta ftonte një njeri të tillë në shtëpinë e vetë, do e kishte pas detyrë që të bënte vetëvrasje për ta larë fytyrën”.

Ai ka thënë se ka takuar njëherë Radojiçiqin.

“Sa e di unë, nuk e di a është e vërtet, përfaqësues të Listës Serbe kanë thënë shkoni të ai, ai është njeriu që vendos ne emrin tonë. Nuk kam diçka tjetër të them për paradoksin për jetën politike të të gjithëve në Kosovë. Ata të Listës Serbe kanë thënë se është negociator ekskluziv i tyre”, ka thënë Rashiq.


Rashiq: Ndarja e Kosovës zgjidhja më e keqe në histori të Evropës

21:07 - 20 prilli është vendosur si dita kur do të krijohet Asociacioni i njëanshëm i komunave me shumicë serbe.

Ish-ministri serb në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka theksuar se qytetarët mund të mbeten viktima të sistemit.

“Kam vullnet e kam lutje për të gjithë ata që janë pjesë e organizmit që mos të ndodhë një gjë e tillë. Mos të veprojnë në një mënyrë anti-ligjore pasi kam frikë se pikërisht ata do të mbesin viktima të sistemit”, ka thënë ai.

“Gabim. Tërë kohën shkojmë duke bërë gabim”, i vlerëson Rashiq deklaratat e liderëve kosovarë se do të arrestohen të gjithë ata që shkelin ligjin.

Ish-ministri serb ka përmendur humbjet me të cilat ballafaqohet komuniteti serb me krijimin e ASK-së.

“Kur krijohet Asociacioni prapë ne do të kemi zhvendosje të serbëve për shkaqe ekonomike, prapë do jemi në humbje të të rinjve në veçanti, ku kemi një problem të madh, pasi pikërisht ata që duhet të jenë e ardhmja e Kosovës, e serbëve të Kosovës, po shikojnë për jetë jashtë Kosovës”, ka thënë ai.

“Të gjithë atyre që këtë që e shohin si zgjidhje, ju lutem le të kenë kujdes ata që bëjnë deklarata të tilla”, ka thënë Rashiq i pyetur për deklaratat që shohin si zgjidhje ndarjen e Kosovës. “Ndarja e Kosovës është zgjidhja më e keqe në histori të Evropës”.

“Ai që thotë se ndërrimi territoreve është zgjidhje nuk e din se cila është pasoja”, ka thënë tutje ai.


Rashiq: Rasti i Gjuriqit ka bërë që serbët e Kosovës të përgatiten për largim

20:56 - Për ish-ministrin serb në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, serbët në Kosovë po manipulohen nga Beogradi.

Në një intervistë në Rubikon të KTV-së, Rashiq ka thënë se Beogradi po përdor çdo mekanizëm që t’i manipulojë serbët e Kosovës. Ai ka deklaruar se rasti i Marko Gjuriqit ka bërë që serbët të përgatiten për largim nga Kosova.

“Serbët e Kosovës po manipulohen. Kjo po ndodh veçanërisht përmes medieve. Madje, situata e krijuar në veri të Kosovës me ndalimin dhe deportimin e zyrtarit serb, Marko Gjuriq ka bërë që qytetarët atje të përgatiten për largim nga Kosova. Shumica prej qytetarëve serbë i kanë bërë planet se ku mund të shkojnë për një jetë rezervë. Duhet t’i kuptoni serbët e veriut. Ne, qytetarët e Kosovës, më saktë, serbët e Kosovës jemi të bombarduar çdo ditë, sidomos prej medieve atje. I bombardojnë me informacione ku Beogradi është duke fituar të gjitha negociatat në Bruksel”, u shpreh ai.

Ai madje përmendi edhe një prononcim të kryeministres serbe, Ana Brnabiq, duke thënë se negociatat në Bruksel janë fitore e tërësishme e Beogradit.

“Negociatat e Brukselit janë 100% fitore e Beogradit”, citoi Rashiq duke shtuar se qytetarët në veri nuk janë të interesuar për konflikte dhe situatat e fundit i kanë bërë t’i kuptojnë këto manipulime që po u bëhen.


Rashiq për Gjuriqin: Skandal i përgatitur që shkon në favor të Beogradit

Skandal i indeksuar mirë shihet situata e krijuar në veri të Kosovës me ndalimin dhe deportimin e zyrtarit serb, Marko Gjuriq.

Ish-ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se është një skenar i shkruar nga të dyja palët.

Ndonëse, sipas tij, një situatë e tillë më shumë i ka interesuar Beogradit sesa Prishtinës.

“Ka dalë si një skandal, pasi Gjuriqi është një përfaqësues, për të cilin është marrë vesh në Bruksel. Ajo që ka ndodh ka qenë më shumë si një skenar, pasi kur e analizon prej të hënës deri sot, po duket sikur një skenar në të cilin ka pas detyrë secila prej palëve ta luajë rolin e vetë, për çka mund të përdoret si një arsye për ngritje të konfliktit”, deklaroi Rashiq.

“Të dyja palët”, ka thënë Rashiq, i pyetur se nga kush mund të jetë shkruar një skenar i tillë.

“Prapë politikanët kanë arritur të na bëjnë argatë të tyre ku ambientin e konfliktit e bëjnë brenda një dite”, nënvizoi ai.