Arbëri

Banorët e Hades i kthehen protestave, “zgjidhja s’u bë siç premtoi Haradinaj”

Pas shumë vitesh pritje e shfaqje të pakënaqësive, banorët e fshatit Hade të Obiliqit u janë rikthyer protestave.

1700 persona që vazhdojnë të jetojnë në këtë pjesë, e paraparë të shpronësohej shumë vite më parë, kanë kërkuar nga të gjitha institucionet që t’i largojnë nga kjo pjesë, ku po iu rrezikohet jeta në disa aspekte.

Banorëve u kanë dhënë mbështetje zyrtarët komunalë.

Mirëpo, banorët dhe shoqëria civile kanë thënë se kjo komunë po funksionon pa zot shtëpie dhe nuk po i ndihmon banorët në zgjidhjen e këtij problemi.

Protestuesit prezantuan një dokument të komitetit të përbashkët, përmes të cilit KEK-u u ka thënë se nëse qeveria nuk garanton shpronësimin e kësaj pjese dhe investimet në pajisjet kryesore xehetare, atëherë do të vazhdojnë hapjen e minierës drejt Sibovcit.

Ndërkohë, KEK-u thotë se sipas licencës së lëshuar nga KPMM-ja dhe bazuar në Projektin Plotësues Xehetar të vitit 2006, do të operojnë deri në vitin 2027 në minierën e Sibovcit Jug-Perëndimor.

Ata kanë bërë të ditur se KEK-u është në fazën e përgatitjes së Studimit të Fizibilitetit për hapjen e një miniere të re, e cila parashihet të ketë rezerva për 45 vjetët e ardhshëm dhe ku ende nuk dihet se a do të përfshihet kjo zonë.

Kurse qeveria thotë se KEK-u duhet të paguajë shpronësimin e jo qeveria.

Ekzekutivi do të jetë vetëm kujdestar për të parë nëse gjithçka po shkon mirë me shpronësimin.