Sistemi i Informimit Shëndetësor (SISH) ka hasur në pengesa të mëdha tash e 7 vite.
Kështu ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, gjatë raportimit të tij në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë.
“Shumë pengesa na janë paraqitur në projektin e SISH-it. Edhe vet rekomandimet e shumta që na janë dhënë në një projekt i cili ka zgjatur qe 7 vite, tregon se sa kompleks është ky projekt”, tha ai, raporto KTV.
“I kemi pranuar rekomandimet e dhëna nga Auditori por ende na nevojitet më shumë qartësi rreth këtij projekti”, ka thënë ministri Ismaili.
Kujtojmë se e diela me “Koha Ditore”, në numrin e fundit, ka trajtuar hollësisht këtë çështje.
Në artikullin me titull “Skemë që kundërmon hajni”, gazeta shkroi se nuk dihet saktë se ku kanë shkuar miliona euro për krijimin e Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISH). Projekti gati dhjetëvjeçar është buzë dështimit.
Miliona euro të shpenzuara në emër të aparaturave tashmë të amortizuara, procesi pa transparencë e pa llogaridhënie, kanë ngritur dyshime për keqpërdorime e korrupsion në emër të SISH-it.
Mungesa e një SISH-i funksional “paralizon” nisjen e zbatimit të Ligjit për sigurime shëndetësore.
Ministrat që kanë udhëhequr me këtë dikaster kanë dështuar të krijojnë një zinxhir të përbërë nga hallka të ndryshme të të gjitha segmenteve të shëndetësisë.
Kjo përveç dyshimeve për abuzim me mjete që çdo vit janë ndarë duke u thirrur në “ndërtimin e SISH-it” u kanë mundësuar personave të ndryshëm që të vazhdojnë abuzimet në spitale publike e në MSH në mungesë të një “sistemi digjital të monitorimit”. Mungesa e SISH-it i ka lënë qytetarët pa sigurime shëndetësore.
-
4 prill 2018 12:46
-
Shpërndaje në: