Arbëri

AKI-ja nuk shkon në raportim në Komisionin parlamentar për “gylenistët”

Asnjë zyrtar i AKI-së nuk ka shkuar për raportim në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës edhe pse ky komision ua kishte dërguar tri ftesa, raporton Koha Ditore.

Deputetja Ganimete Musliu ka thënë se që prej të premtes janë dërguar tri ftesa për raportim në lidhje me arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq.

“Edhe sot në përpjekjen e tretë nuk kemi përgjigje pozitive”, ka thënë Musliu.

Musliu lexoi një letër të AKI-së, sipas së cilës, kryeministri Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga inspektori i AKI-së ndërmarrjen e veprimeve përkatëse për rastin e “gylenistëve”.

“Për arsye te pritjes së rezultatit të raportit kërkojmë të shtyhet. Në momentin që kemi raportin mund të dakordohemi për datën e raportimit, shkruan në letrën e lexuar nga Musliu.

Drejtori i AKI-së, Driton Gashi pritej të raportonte për herë të parë për arrestimin dhe dëbimin e gjashtë “gylenistëve” për në Turqi.

Gashi është akuzuar si personi kryesor për deportimin e shtetasve turq. Kryeministri Ramush Haradinaj i ka kërkuar Gashit largim nga kjo detyre, por që ai ende nuk ka pranuar të japë dorëheqje.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, nuk e ka miratuar vendimin për largimin e tij nga puna.