Arbëri

Edhe opozita në Turqi lavdëron aksionin e arrestimit të shtetasve turq në Kosovë

Descriptive Text

Lideri i partisë opozitare Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahceli, ka lavdëruar operacionin e agjencisë së Inteligjencës turke (MIT) në Kosovë që rezultoi me arrestimin e gjashtë shtetasve turq të dyshuar si pjesëtarë të Lëvizjes së Gylenit (FETO), e cila cilësohet organizatë terroriste në Turqi.

Në bashkëpunim me AKI-në, MIT-i arrestoi gjashtë burra, të cilët Turqia thotë se janë përgjegjës për largimin e pjesëtarëve të organizatës FETO nga Turqia për në Evropë e SHBA, krahas aktiviteteve të tyre në Ballkan, raporton “Mynet”.

“Këtë duhet ta bëjë shteti [turk]”, ka thënë Bahceli gjatë takimit të Grupit Parlamentar të partisë së tij të martën, transmeton Koha.net.

“Ka shumë tradhtarë [të FETO-s] që po veprojnë si të çmendur në SHBA dhe në vende evropiane”, shtoi ai.

Bahceli bëri thirrje që në të njëjtën formë të sillet edhe lideri i lëvizjes nga SHBA, Fetullah Gulen.

“Nëse predikuesi tradhtar në Pennsylvania do të kapej gjatë natës nga rinia e guximshme turke derisa në kokë ia hedhin një kapuç, dhe më pas nëse do të mund të sillej në Turqi për t’u përballë me drejtësinë me një aeroplan apo anije përmes oqeanit, në atë rast të gjitha maskat e projektit do të binin”, tha Bahceli.

“Në këtë rast, ndërgjegjja kombëtare do të merrte frymë thellë”.

Ai ritheksoi se “FETO, që orkestroi tentim puçin korrikun e vitit 2016 në Turqi, është projekt i grupit terrorist”, transmeton Koha.net.

Grupi, që u dërgua në Turqi me një aeroplan privat, përbëhet nga Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Huseyin Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina, të gjithë këta në kërkim nga Turqia si të arratisur të FETO-s.