Arbëri

Sefaj s’e ka përkrahjen e partisë, do të shkarkohet

AKR-ja e Behgjet Pacollit nuk do të mund të ndalë shkarkimin e Flamur Sefajt nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme.

Siç merr vesh KTV-ja nga burimet brenda kësaj partie, Sefaj nuk do ta ketë përkrahjen e partisë dhe gjithsesi do të shkarkohet.

Kjo parti është mbledhur për të diskutuar për kërkesën e kryeministrit që Flamur Sefaj të lirojë postin e ministrit të Brendshëm, pas skandalit të arrestimit dhe më pas deportimit të 6 shtetasve turq javën që shkoi.

Në këtë takim nuk mori fare pjesë Flamur Sefaj, ani pse kjo mbledhje e partisë ishte thirrur për të diskutuar për punën e ministrave të AKR-së.

Një ditë pas arrestimit dhe dëbimit të 6 shtetasve turq në Turqi, kryeministri Haradinaj ka kërkuar që ministri Flamur Sefaj dhe drejtori i AKI-së, Driton Gashi, t’i lirojnë pozitat e tyre.

Asnjëri nga ta nuk është deklaruar ende për kërkesën e kryeministrit të Kosovës.