Arbëri

MPJ turke sulmon mediat kosovare, i del në mbrojtje Ambasadës në Prishtinë

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy, ka reaguar në lidhje me protestën para Ambasadës së Turqisë në Prishtinë mbi dyshimin se qytetarët turq, të dyshuar nga shteti turk se janë pjesë e grupit që ky shtet e cilëson terrorist, FETO, po mbaheshin në ambientet e Ambasadës turke në Prishtinë.

Kjo Ministri thotë se Kosova, si vend nikoqir i shtetasve, bizneseve, organizatave e misioneve turke, është përgjegjëse për sigurinë e tyre.

“Organizata terroriste FETO ka treguar edhe njëherë fytyrën e saj të vërtetë para tërë votës me veprimet e tyre kundër Turqisë dhe misioneve të saja në Kosovë. Autoritetet e Kosovës janë paralajmëruar se siguria e shtetasve, misioneve, zyrtarëve dhe kompanive turke është përgjegjësi e parë dhe e vetme e Kosovës si vend nikoqir dhe se pritet nga ta të veprojnë në vijë me obligimet e tyre ndërkombëtare. Ne presim po ashtu nga miqtë tanë të kenë qasje të kujdesshme dhe të pakompromis ndaj pjesëtarëve të kësaj organizate terroriste dhe ndaj qarqeve që mbështesin ata”, thuhet në një komunikatë për media të MPJ-së turke, raporton Koha.net.

Në anën tjetër, në këtë komunikatë kritikohen edhe shkrimet “provokuese” në media ndaj Ambasadës turke në Prishtinë.

“Lajmet provokuese që po sulmojnë Ambasadën, Ambasadoren tonë dhe stafin e Ambasadës duke deklaruar se personat që janë ekstraduar nga Kosova kanë qenë në Ambasadën në Prishtinë, janë të pabazuara. Ne mohojmë fuqishëm dhe dënojmë manipulimet e tilla të dëmshme mediale”, përfundon deklarata e MPJ-së turke.