Arbëri

Të vërtetat aprililili

“Nuk po e njoh më as rrenën time”, janë pak a shumë fjalët e një shprehjeje që shpjegon përmbledhtas habinë që e shpreh dikush kur e dëgjon versionin e stërndryshuar të ndonjë historie të trilluar pa të keq prej tij.

Trilluesi habitet për shkak se rrëfimi ndryshohet e hijeshohet, saqë njerëzit gojëtarë ia mbushin shumëkujt mendjen se është i pakontestueshëm.

Rrena gradualisht shndërrohet në një të vërtetë të mirëqenë që pranohet nga një rreth më i gjerë familjarësh e miqsh.

Shumëkush as që lodhet ta vërë në dyshim. Rrena e ka ditën e vet “legjitime” më 1 prill. Shumëkush e ka rrejtur dikë ose ishte viktimë e ndonjë rrengu. Rrenat pa sherr janë të ndryshme. Disa sosh marrin përmasa publike. Sidomos tani kur me një klik mund ta shpërndash botërisht nëpër rrjetet sociale. Dhe historitë e pavërteta përfundojnë me një shprehje që s’ekziston në fjalorin e shqipes: Aprililili.

Me aprilili përfundonte edhe shkrimi i 1 prillit 2011 në ballinën e “Kohës Ditore”: “George Washingtoni me prejardhje shqiptare”, që vazhdonte gjerësisht në faqen e dytë. Shkrimi i referohej kinse një hulumtimi të kryer nga Retuers, që në fakt ishte një lojë shkronjash me emrin e agjencisë prestigjioze Reuters. Por shumëkush e mori të mirëqenë, pa e lexuar deri në fund. Ndër ta edhe historianë me tituj të lartë shkencorë. “Koha Ditore” ka nisur të botojë pas luftës nga një shkrim me histori të trilluar me rastin e “Ditës së rrenës”. Gjatë viteve janë trilluar histori të ndryshme të lidhura me rrjedhat e Kosovës, si shkrimet se ishte vjedhur Deklarata e Pavarësisë; Hashim Thaçi e Ivica Daçiqi do të fitonin Nobelin për Paqe për dialogun Kosovë-Serbi; se regjisori Steven Spielbergu do të xhironte film për UÇK-në dhe LDK-në; apo se BE-ja do t’ia hiqte Kosovës vizat në majin e vitit 2014... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)