Arbëri

Nëse “gylenistët” kanë rrezikuar sigurinë e Kosovës do duhej gjykuar këtu

Descriptive Text

Në ditën e Kërshëndellave të vitit 2014, me mbi 12 kilogramë eksploziv, shtetasi serb Sllobodan Gavriq ia mësyri Kosovës. Ai kishte për qëllim shkatërrimin dhe vrasjen e shumë njerëzve në kryeqytet.

Tentimi i tij i shkoi huq, pasi u kap nga Policia e Kosovës në afërsi të Ambasadës Amerikane. Prokuroria Speciale, me datën 10 korrik 2015, e akuzoi Gavriqin për veprën penale të përgatitjes së veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Gjykimi për të zgjati rreth një vit dhe më 29 qershor të 2016-ës, Gjykata e dënoi me 13 vjet burgim, shkruan Koha.net.

Ai nuk u deportua në Serbi, vendin e tij të origjinës dhe shtetas i të cilës është.

Kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, sot në konferencën e thirrur për media, ka cituar një raport të AKI-së, me të cilin arsyetohet urdhri për heqjen e shpejtë të lejeqendrimit, arrestimit dhe deportimit për në Turqi të gjashtë shtetasve turq, të lidhur me lëvizjen gyleniste.

AKI-ja, sipas Thaçit, i kishte cilësuar këta gjashtë shtetas të Turqisë, të rrezikshëm për sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Unë jam i informuar dhe ende jam duke marrë sqarime shtesë lidhur me rastin dhe rrethanat në të cilat është kryer arrestimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq. Në prani të partnerëve ndërkombëtarë kemi pranuar një raport nga AKI-ja që në mënyrë të detajuar sqaron pse është kërkuar arrestimi i tyre. Sipas këtij raporti, arrestimi dhe deportimit i tyre ka të bëjë me veprimtarinë e tyre të paligjshme dhe të rrezikshme në Kosovë. Ata kanë rrezikuar sigurinë kombëtare. Sipas AKI-së, raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën”, ka thënë Thaçi në konferencën e jashtëzakonshme për media.

Për ekspertin e çështjeve të sigurisë, Lulëzim Peci, njëherësh drejtor i institutit KIPRED, nëse te deportuarit kanë kryer “krime” në Kosovë, atëherë ndaj tyre është dashur të hapet procedurë gjyqësore në Kosovë, pasi “krimi” është kryer në vendin tonë dhe jo në Turqi.

“Turp për shtetin e Kosovës, në vend se të kërkohet falje familjeve të deportuarve për shkelje brutale të të drejtave të njeriut, kreu i shtetit po i arsyeton ato dhe me këtë është bërë e qartë se kush është përgjegjës për këtë katrahure shtetërore”, ka thënë Peci.

Edhe avokati Tomë Gashi, në një prononcim për Koha.net ka thënë se gjashtë shtetasit turq, do të duhej të gjykoheshin në Kosovë, e jo të deportoheshin në Turqi.

Sipas Gashit, nëse presidenti Thaçi ka pasur informacione para se gjashtë shtetasit turq të arrestoheshin, ata është dashur të hapin procedurë penale të çfarëdo lloji që do të duhej të akuzoheshin.

Ai tha se tentimi për të fshehur këtë skandal, ka pasoja ndërkombëtare, pasi me këtë vepër Kosova u kuptua se nuk respekton të drejtat e njeriut.

“Atyre nuk iu dha mundësi as të sqarohen, deklaratat e liderëve janë mashtrim që po iu servohet opinionit”, tha ai.

Gashi, ka shtuar se është e ditur që Thaçi ka raporte të ngushta me presidentin turk Erdogan, dhe me këtë rast, ky i fundit ndihet i lumtur që Kosova ia deportoi gjashtë “gylenistët”.

“Por megjithatë, ata në asnjë variant nuk do të duhej të deportoheshin në Turqi. Ata do të duhej t’i kalonin disa procedura këtu në Kosovë, pasi këtu janë akuzuar”, shtoi Gashi në një përgjigje për Koha.net.

Gashi ka thënë se edhe rasti i Sllobodan Gavriqit, është i ngjashëm me atë të shtetasve turq, por me këta të fundit nuk u veprua ashtu siç e kërkojnë procedurat.

“Absolutisht është rast i ngjashëm, ai madje ka tentuar të kryej veprimtari terroriste, dhe megjithatë nuk është deportuar në Serbi. Njëjtë është dashur të veprohet edhe me gjashtë shtetasit turq. Ky është skandal i përmasave ndërkombëtare, iu privua edhe e drejta për jetë.”, shtoi ai.

Gashi, ka thënë se gjashtë shtetasit turq do ta kenë fatin e njëjtë që do ta kishin edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, sikur të deportoheshin nga Zvicra, në kohën kur kërkoheshin nga autoritetet serbe.

Ndërkaq, edhe njohësi i çështjeve ligjore nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, për Koha.net tha se Republika e Kosovës duhet të ketë qëndrim zyrtar lidhur me lëvizjen Gyleniste dhe shtetasve turq që eventualisht i takojnë kësaj lëvizje dhe që jetojnë në Kosovë. Gjithashtu, edhe ai pohon se “gylenistët” do të duhej të gjykoheshin në Kosovë.

“Sigurisht se ky vendim politik i takon institucioneve qendrore në Kosovë që udhëheqin politikën e jashtme. Në këtë drejtim, ky qëndrim politik i mundëson institucioneve të drejtësisë të trajtojnë çdo rast individual dhe që të mos përsëritën rastet të njëjta si me 6 shtetasit e deportuar në Turqi. Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit në bazë të ligjit janë të obliguar në çdo rast kur ka dyshime se shtetas të huaj mund të cenojnë sigurinë kombëtare në Kosovë, duhet të ndërmarrin masa në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e personave të përfshirë. Në rastin e 6 personave të deportuar, Kosova nuk duhet dhe nuk mund të deportoj shtetas të huaj të cilët në shtetin e origjinës mund të jenë subjekt të torturës, keqtrajtimit, apo dënimeve tjera diskriminuese. Një qasje e tillë është në kundërshtim me vlerat dhe parimet mbi të cilat është themeluar dhe funksionon Shteti i Kosovës”, tha Miftaraj për Koha.net.

Në një artikull të vetin, publicisti e shkrimtari Veton Surroi, ndër të tjera dje shkroi se autoritetet e Kosovës kanë qenë të obliguara që të dëshmojnë, në procedurë të duhur ligjore se për çfarë veprimtarie terroriste bëhet fjalë.

“Ajo që quhet terrorizëm nga pushteti i sotëm në Turqi jo domosdo është terrorizëm në një shtet me traditë institucionale ligjore; ta quash dikë terrorist nuk është dëshmi e mjaftueshme. Në rastin më të keq për qytetarët turq, pra edhe po të kishte dëshmi të mjaftueshme për veprimtari terroriste, këto dëshmi duhej të provoheshin nëpërmjet të procedurës administrative e gjyqësore”, ka shkruar Surroi.

“Çdonjëri prej të gjashtë të dyshuarve duhej të kishte mundësi mbrojtjeje. Dhe, pastaj, në rastin më të keq, edhe po të vërtetoheshin dyshimet e AKI-së, e t'u ndërpritej e drejta e qëndrimit në Kosovë, me datë të qartë largimi, do të duhej procedurë e veçantë ligjore për deportimin e tyre, sipas kërkesës së Turqisë. Njëkohësisht, të hapej procedura për dënim me burg për shkak të veprimtarisë terroriste”, ka shkruar më tej ai.

Sipas tij, në vend të procedurave ligjore, autoritetet e Kosovës kanë rrëmbyer gjashtë qytetarë dhe ua kanë dorëzuar autoriteteve turke.

“Veprimet e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës nuk kanë qenë vetëm kundër gjashtë qytetarëve turq të rrëmbyer e dorëzuar. Këto veprime kanë qenë sulm kundër Kushtetutës së Kosovës”.

Organet e rendit dhe të drejtësisë në Kosovë morën kohë më shumë se 1 vit e gjysmë për të vënë drejtësi për rastin e Gavriqit. E jo më shumë se 4-5 orë për të arrestuar dhe për t’ia dorëzuar Erdoganit ata që i ndjek për “tradhtarë”.