Arbëri

Task-forca për përmirësimin e cilësisë së ajrit premton veprime konkrete

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka mbajtur takimin e parë të Task-forcës ndërministrore lidhur me trajtimin e problemeve të ndotjes së ajrit.

Pas takimit në një konferencë për media Reshitaj ka thënë se “Qeveria i ka dhënë prioritet uljes së ndotjes së ajrit sidomos në atë pjesë ku kemi probleme më të theksuara sikurse regjioni i Prishtinës. Kemi diskutuar për veprime konkrete që do t’i ndërmarrim për uljen e ndotjes së ajrit. Falënderoj Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për veprimet konkrete që do t’i ndërmarrë për uljen e ndotjes së ajrit dhe atë në zgjerimin e rrjetit të koogjenerimit, investimin në filtrat e termocentraleve, promovimin e energjisë së ripërtritshme, efiçiencën e energjisë, ritjen e caqeve për energji solare dhe energji të erës. Po ashtu, me ministrin e Shëndetësisë jemi duke bashkëpunuar në përkrahjen e Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik në hulumtime të drejtpërdrejta për pasojat që paraqet niveli i ndotjes së ajrit”, raporton KTV.

“Së shpejti Republika e Kosovës do ta ketë policinë e gjelbërt duke ju falënderuar Ministrisë së Rendit. Po ashtu, do të funksionalizojmë gjobat mandatore që do të ndikojë në vetëdijesimin e qytetarëve”, shtoi ministrja Reshitaj.

“Gjithashtu, veprim konkret është ndërprerja e faljes së 600 mijë ton thëngjill për punëtorët e KEK-ut. Ky është një veprim i qëlluar”, ka thënë Reshitaj.

“Edhe MASHT-i po përgatit veprim që në kurrikula shkollore të ketë hapësirë më të madhe për mjedisin dhe ruajtjen e ajrit në Kosovë si dhe përgatitjen e vendimit për ndërprerjen e përdorimit të thëngjillit në shkollat që e përdorin si lëndë djegëse”, tha ministrja.

“Pas këtij takimi shpejt do të kemi informacione për veprime konkrete me nënshkrimin e vendimeve që do të ndikojnë në uljen e ndotjes së ajrit”, theksoi Reshitaj.