Arbëri

Hoxha thotë se kosovarët do të lëvizin pa viza brenda këtij viti

Ministria e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka thënë se kosovarët do të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së brenda këtij viti.

Gjatë raportimit para komisionit për Integrime Evropiane Hoxha ka thënë se Kosova tashmë ka përmbushur kriteret e kërkuara dhe tani është në dorë të BE-së të vendosin, raporton KTV.

Ministrja Hoxha tha se në kuadër vizitës së Presidentit të KE-së, Jean Claude Juncker, institucionet e Kosovës kanë bërë dorëzimin e raportit për përmbushjen e kriterit të dytë, respektivisht vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Në kuadër të Ekipit të Përbashkët për Luftimin e Krimeve Serioze, respektivisht udhëheqjen e Prokurorisë Speciale janë shënjëzuar 39 raste, janë ngritur 30 aktakuza, 23 raste janë në shkallët e ndryshme të shqyrtimit gjyqësor dhe 7 raste janë përmbyll në formë të vendimit të prerë”, ka thënë Hoxha.

Tutje, Hoxha tha se vlerësimi ynë është që për qëllime të liberalizimit të vizave, kriteri i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është i përmbushur.

“Natyrisht, jemi të vetëdijshëm që lufta kundër kësaj dukurie duhet intensifikuar edhe më shumë, pasi që progresi në këtë fushë është fillimisht në interes të qytetareve tonë, dhe më pastaj të Bashkimit Evropian”, deklaroi ajo, raporton Koha.net.

Synimi ynë, tha ministrja e Integrimit Evropian, është që gjatë këtij viti të përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme institucionale të BE-së për të siguruar plotësim ndryshimin e Rregullores 539/2001 të Bashkimit Evropian dhe rrjedhimisht lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ky synim, sipas saj, nënkupton hapat si në vijim:

1. Fillimi i negociatave për plotësim ndryshim Rregullores 539/2001 në mes 3 institucioneve kryesore të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian;

2. Miratimi i Rregullores në seancën plenare të Parlamentit Evropian;

3. Miratimi i Rregullores nga Këshilli i Ministrave;

4. Ceremonia e nënshkrimit;

5. Publikimi në gazetën zyrtare; dhe

6. Hyrja në fuqi.

“Ne presim që e gjithë procedura e cekur të mos merr më shumë se 6 muaj. Kjo është një përvojë kohore në rastin e Gjeorgjisë. Mirëpo, duhet nënvizuar që tani institucionet e Kosovës kanë përfunduar detyrat e veta dhe përgjegjësia është në anën e institucioneve të BE-së për të marr hapa institucional në afat sa më të shkurtër kohor”, shtoi ajo.

Hoxha shpjegoi edhe procedurën e votimit në Këshillin Evropian, duke thënë se ky votim do të jetë i bazuar në shumicë e dyfishtë - apo me fjalë tjera duhet të votojnë 16 vende anëtare që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së BE-së. Ndërsa në seancën plenare të Parlamentit Evropian, votimi do të bëhet me shumicë të thjeshtë në leximin e parë dhe në lexim të dytë me shumicë absolute.

“Në fund fare, dua të nënvizoj që ende na pret shumë punë dhe procesi do të vazhdojë sipas procedurave përkatëse. Unë si Ministre e Integrimit do të vazhdoj punën intensive në bashkëpunim me gjitha institucionet shtetërore për të përmbyllur procesin e liberalizmit të vizave”, u shpreh ministrja Hoxha.

Pas kësaj deklarate ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli e cila ka thënë se një raport i tre ekspertëve të BE-së për liberalizimin e vizave i cili i është dorëzuar ministrisë së Integrimeve, nuk e kanë bërë publik.

Sipas Pacollit, aty ceket se Kosova ka dështuar të luftojë krimin dhe korrupsionin duke e quajtur sistemin e drejtësisë të dështuar, të kapur politikisht dhe pasiv ndaj këtyre rasteve.

“Ne sot po flasim për lobimin që duhet ta bëjmë tek shtetet, pra demarkacioni nuk paska qenë kushti i vetëm. Nuk besoj që këto raste janë të mjaftueshme, kërkohet të krijohet një regjistër i rasteve, regjistër i konfiskimit, asnjëra nuk është bërë, keni sjell një raport dy faqesh, që nuk tregon asgjë të re”, ka thënë Pacolli.

“Është kriter që në vazhdimësi duhet të trajtohet, presim që brenda këtij viti të lëvizim pa viza, por dua të theksoj që tani çdo gjë është në duar të BE-së. Lobimi është një proces që duhet të vazhdojë”, tha ministrja Hoxha.

“Ratifikimi i demarkacionit tregon që kemi një problem më pak në këtë rrugëtim. Këto që i përmendet ju, rastet qa i përmendët ju, mund të jenë një regjistër, por konfiskimin të gjithë e dimë që është zero. Me formën edhe mënyrën si është ne jemi larg”, tha Armend Zemaj, anëtari i komisionit dhe deputeti i LDK-së.