Arbëri

Rusia ndërhyn në tensionet në rritje mes Kosovës e Serbisë

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën një ditë pasi një politikan serb u arrestua në Kosovë dhe më pas u dëbua në Serbi, dhe tani në këtë mosmarrëveshje ka hyrë Rusia kurse Bashkimi Evropian po provon të shmang ndonjë kacafytje të mëtejme.

Serbët e Kosovës vendosën bllokada në rrugë në qytetin e ndarë të Mitrovicës për të monitoruar qasjen në territorin e dominuar nga serbët, dhe politikanët serbë u tërhoqën nga qeveria e Kosovës dhe kërcënuan me formimin e administratave të tyre lokale përgjatë Kosovës ku jeton pakica serbe, raporton “The Washington Post”.

Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, bëri një udhëtim urgjent në Beograd për të biseduar me presidentin e Serbisë në tentim për të parandaluar krizën e thellë. Zyra e presidentit Aleksandar Vuçiq në një deklaratë për media tha se Mogherini është pajtuar për të gjetur “mënyra të reja” për të zgjidhur problemet mes Kosovës dhe Serbisë paqësisht, transmeton Koha.net.

Mogherini nuk komentoi menjëherë, por deklarata e citonte atë të ketë thënë se “ajo çfarë ndodhi dje nuk duhet të përsëritet”.

“Bashkimi Evropian pret që paqja të ruhet me qetësi e përmbajtje”, ka thënë Mogherini sipas deklaratës.

Në ndërkohë, ministria e Jashtme ruse lëshoi një deklaratë me fjalë të ashpra, duke akuzuar BE-në dhe SHBA-në se po dëshirojnë “të shtypin ashpër” përpjekjet e serbëve të Kosovës për të “ruajtur interesat e tyre legjitime”.

“Është krejtësisht e qartë se kosovarët (shqiptarët e Kosovës) gjithmonë ndjekin këshillat e patronëve të tyre amerikanë e evropianë, të cilët shkelin ligjin ndërkombëtar dhe veprojnë në bazë të arbitraritetit”, ka thënë MPJ ruse në një deklaratë të përcjellë nga agjencia ruse e lajmeve “Tass”.

Derisa Rusia mbështet pretendimet e Serbisë për ish-provincën e saj, SHBA dhe shumica e shteteve evropiane e kanë njohur pavarësinë e Kosovës një dekadë më parë. Rusia ka provuar të zgjerojë ndikimin e saj në Ballkan kryesisht përmes aleatit të saj tradicional sllav, Serbisë.

Këto zhvillime erdhën një ditë pasi Marko Gjuriq, shef i zyrës qeveritare serbe për Kosovën, u ndalua përkohësisht në qytetin e ndarë të Mitrovicës sepse hyri në vend pa lejen zyrtare të Kosovës. Policia e Kosovës të hënën përdori gaz lotsjellës dhe granata tronditëse për të shpërndarë protestuesit serbë në Mitrovicë.

Gjuriq tha se është rrahur derisa ka qenë i ndaluar dhe se arrestimi i tij kishte për qëllim poshtërimin e serbëve në Kosovë si dhe, sipas tij, ishte një stërvitje për një përpjekje të mundshme nga Policia e Kosovës për të marrë veriun e Kosovës.

“Duke më tërhequr zvarrë sikur një qen, duke më tërhequr për kollare, ata deshën të më poshtërojnë duke menduar se mund të poshtërojnë popullin serb”, ka thënë Gjuriq gjatë një konference për media të martën, transmeton Koha.net.

Por presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, incidentin e quajti si provokim nga Serbia.

“Ngjarjet e së hënës janë në kundërshtim me përkushtimin ndaj dialogut dhe ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në Kosovë”, tha ai në një deklaratë të hënën.

Politikanët përfaqësues të pakicës serbe në Kosovë u takuan me presidentin e Serbisë në Beograd, duke thënë se më nuk do të mbështesin qeverinë e Kosovës. Kjo mund të nxis një krizë qeveritare nëse ministrat serbë nuk zëvendësohen shpejt nga shqiptarët.

Goran Rakiq, që drejton Listën Serbe në parlamentin e Kosovës, ka thënë se serbët do ta formojnë vetë Asociacionin e komunave serbe në Kosovë, që është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013 në Bruksel por që asnjëherë nuk është vazhduar tutje nga autoritetet e Kosovës.

“Ky nuk është hap i njëanshëm. Është hap i detyruar”, ka thënë Rakiq. “Kemi pritur për pesë vjet të na japin atë që na takon. Ne do ta formojmë atë për të cilën ata kanë nënshkruar, atë që na është garantuar pesë vjet më parë”.

Ky veprim mund të nxis edhe më shumë fërkimet mes Serbisë dhe Kosovës, e cila shpalli pavarësinë më 2008 përkundër dëshirave të Beogradit, transmeton Koha.net.

Të martën, serbët e Kosovës bllokuan rrugën kryesore që çon nga veriu i Kosovës në Prishtinë, duke parkuar një buldozer dhe një kamion përgjatë saj.

Gjuriq, duart e së cilit ishin të fashuara, u shfaq në një konferencë për media me zyrtarët e serbëve të Kosovës pas bisedave me Vuçiqin.

Ai tha se policët e Kosovës “bënë selfie me mua dhe më ulën në gjunjë, duke më drejtuar armën në trup”.

Ai akuzoi disa shtete Perëndimore, pa i përmendur me emra, se kanë përkrahur direkt apo indirekt veprimet e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të martën se “veprimet e djeshme nuk ishin të drejtuara kundër qytetarëve serbë të Kosovës, por kundër atyre që shkelën ligjin”.

“Nuk është mirë të testohen pafundësisht veprimet e tjetrit”, tha Haradinaj. “Do të ishte mirë të kthehemi në tavolinën e negociatave dhe të diskutojmë çështjet së bashku”.