Arbëri

Edhe Shqipëria dëbon dy diplomatë rusë

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka bërë të ditur se ka njoftuar ambasadorin rus në këtë shtet për dëbimin e dy diplomatëve rusë.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare të kësaj ministrie, arsyeja e dëbimit të të njëjtëve është se “veprimtaria e tyre nuk përputhet me statusin diplomatik”, raporton REL.

Pak më herët Shtetet e Bashkuara dhe 14 vende të Bashkimit Evropian kanë njoftuar për një valë dëbimesh të diplomatëve rusë nga shtetet e tyre për shkak të helmimi të ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Britani më 4 mars.

Rusia ka reaguar ndaj kësaj mase, të cilën e ka cilësuar akt “armiqësor” dhe ka njoftuar se do të kundërpërgjigjet.

SHBA dhe BE dëbojnë dhjetëra diplomatë rusë lidhur me rastin Skripal

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar dëbimin e dhjetëra “zyrtarëve të inteligjencës” së Rusisë dhe ka urdhëruar mbylljen e konsullatës ruse në Sietëll.

Bazuar në raportimet e mediave numri i rusëve të dëbuar duket të jetë 60.

Ambasadori rus në Uashington ka thënë se SHBA-ja është duke shkatërruar edhe ato pak marrëdhënie që kanë mbetur me Rusinë, ka raportuar Reuters, duke u bazuar në agjencinë e lajmeve RIA.

Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk ka thënë se 14 shtete të BE-së kanë dëbuar nga vendet e tyre diplomatët rusë, pasi blloku e konsideron përgjegjëse Rusinë për helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, në Salisbury në Britani të Madhe.

Shtetet e tjera që i janë përgjigjur masës së dëbimit janë edhe: Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Letonia, Lituania, Holanda, Polonia.

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Jacek Czaputowicz, ka thënë sot në një konferecë për gazetarë se katër diplomatë rusë do të largohen nga ky shtet më 3 prill.

“Solidarizimi me Britaninë dhe shtetet e tjera është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë ai.

“Do të ketë shpenzime diplomatike, mirëpo ia vlen”, ka thënë ministri polak.

Ukraina që aktualisht nuk është anëtare e BE-së, ka thënë se do të dëbojë 13 diplomatë rusë.

Rusia: Dëbimi i diplomatëve rusë, "akt armiqësor"

Ministria e Jashtme e Rusisë e ka cilësuar dëbimin e diplomatëve rusë nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe 14 shtete të Bashkimit Evropian, si akt “armiqësor” dhe ka premtuar se do të përgjigjet.

Në një deklaratë më 26 mars, ministria ka thënë se dëbimet nuk do të ndihmojnë në identifikimin e “atyre që janë fajtorë” në helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia më 4 mars në Britani.

Britania dhe aleatët e saj fajësojnë Rusinë, e cila hedh poshtë përfshirjet.

“Është e qartë se ky hap armiqësor i këtij grupi të shteteve nuk do të kalojë pa gjurmë dhe ne do të reagojmë”.

Ukraina po ashtu ka thënë se do të dëbojë 13 diplomatë rusë, mirëpo deklarata ruse i është referuar vetëm shteteve të BE-së dhe NATO-s duke mos e përmendur këtë vend.