Arbëri

SHBA ka ndihmuar Kosovën me 1.8 miliard dollarë në 19 vjetët e fundit

Në ditën e fundit të vizitës së saj zyrtare në Washington, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, u prit në takime të ndara nga zyrtarë të lartë të Departamentit për Marrëdhënie me Evropën Jugore dhe Qendrore, zyrtarë të lartë të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit si dhe të Byrosë për Burimet e Energjisë.

Reshitaj, në takimin e parë u prit nga DepHan Goodman, zyrtar i Lartë për Kosovë, Louis Crishock, zyrtar për Diplomaci Energjetike pranë Byrosë për Burimet e Energjisë si dhe Justin Heung, zyrtar Ekonomik pranë Departamentit për Marrëdhënie me Evropën Jugore dhe Qendrore.

Në këtë takim, Reshitaj ka shprehur vizionin e saj për mjedisin dhe prioritetet qeverisëse, angazhimin për të bërë publikun të vetëdijshëm për rëndësinë e energjisë së ripërtërishme.

Ajo falënderoi shtetin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën dhe kërkoi përkrahje në fushën e promovimit dhe subvencionimit të ekonomisë së gjelbër, miqësore me mjedisin.

Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të DASH-it deklaruan se SHBA-ja i ka dhënë Kosovës për 19 vitet e fundit 1.8 miliard dollarë.

“Kjo ndihmë do të vazhdojë edhe në të ardhmen në shumë fusha duke përfshirë programin e shkencëtareve të rinj ku përmes Ambasadës Amerikane vitin e ardhshëm do të sjellim në Kosovë ekspertë për fusha të caktuara që pala Kosovare i identifikon si të nevojshëm”, deklaruan ndër të tjera zyrtarët amerikanë.

Në fund të takimit palët u zotuan që do të intensifikojnë veprimet e përbashkëta në nxitjen e investimeve kapitale në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe mbrojtjen e mjedisit në veçanti.

Në takim me zyrtarët e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, ministrja Reshitaj kërkoi përkrahje për Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, në ngritjen e kapaciteteve, ruajtjen e ekosistemeve, florës e faunës.

Gjatë vizitës zyrtare të saj në Washington, Reshitaj mori përkrahje nga zyrtarë të lartë të SHBA-së në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.