Arbëri

“Turi i Dëgjimit” i Kadri Veselit po vlerësohet fushatë e pandershme elektorale

Nga selia e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, paralajmëroi atë që do ta quante “Turi i Dëgjimit”, për të krijuar konceptin për një qeverisje për qytetarët.

Shumë qytete, qindra takime e dhjetëra biznese u vizituan nga kreu i Kuvendit brenda 30 ditësh, i cili tha se dëgjoi hallet e tyre, e që këto biseda i publikoi në formë të spoteve.

Për këtë Tur dëgjimi, nuk pagoi Partia Demokratike e Kosovës, por Kuvendi i Republikës, i cili ka lidhur kontratë për këto shërbime me operatorin EkonomiaOnline.

Bazuar në kontratën gjashtëmujore që e ka parë Kohavisioni operatori i kontraktuar nga Kuvendi ofron shërbimet e kërkuara gjatë vizitave të kryeparlamentarit nëpër Komuna, ku përfshihen bizneset, OJQ-të, institucionet arsimore, shëndetësore dhe shoqata të ndryshme, shkruan në kontratë, konkretisht vizitat që i bëri Kadri Veseli gjatë kësaj kohe..

Disa nga këto spote u prezantuan edhe në Konventën e tetë të PDK-së, ku Veseli edhe zyrtarisht shpalli platformën qeverisëse për një fillim të ri.

Ky fakt po shihet si fushatë e pandershme nga ana e Veselit, qoftë nëse ka përdorur paratë publike, por edhe karshi partive të vogla.

KDI është një tjetër organizëm që merret me mbikëqyrjen e punës së Kuvendit dhe zyrtarët e saj thonë se edhe “Turi i Veselit” qoftë në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit apo të PDK-së hynë në kuadër të fushatës politike.

“Buxheti i Kuvendit të Republikës së Kosovës assesi nuk duhet të përdoret nga asnjë politikan apo parti politike për të promovuar një person apo një program politik të caktuar. Debati me qytetarë çdoherë është i nevojshëm dhe të gjithë politikanët do të duhej të konsultoheshin sa më shumë me zgjedhësit e tyre, por këto takime kurrsesi nuk duhet të shërbejnë si mjet fushate politike personale”, ka thënë Artan Murati nga KDI.

Sidoqoftë, kreu i Kuvendit mungoi sot në mbledhjen e kryesisë, për çka u akuzua nga opozita se është duke bërë fushatë paraelektorale.

Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Halit, tha se realisht nuk e di se ku ndodhet Veseli.

Kohavisioni ka provuar të kuptojë se ku ndodhet Veseli, por kabineti i tij në Kuvend nuk ka kthyer përgjigje. Ndërsa, zyra për Informim e PDK-së e ka orientuar KTV-në që këtë përgjigje ta kërkojë në Kuvend.