Arbëri

Jashari: Personat me aftësi të kufizuara të ndihen të barabartë

Descriptive Text

Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Sindromës Down, nën moton “Kosovë më mbështet, fuqizo të drejtën time”, shoqata Down Syndrome Kosova, e mbështetur nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, organizoi sot marsh protestues me ç’rast u adresuan kërkesat për realizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Në këtë protestë ishte i pranishëm edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili shprehu besimin se personat me aftësi të kufizuara duhet të jenë pjesë e barabartë e shoqërisë kosovare.

“Një qeveri e një vendi vlerësohet se si i trajton personat që kanë më së shumti nevojë. Unë besoj në emër të këtij shteti, në emër të institucioneve tona për t’ua bërë mundësinë e barabartë të gjithë personave me aftësi të kufizuara që të ndihen si pjesë e barabartë e shoqërisë kosovare”, tha Jashari.

Kryetari i Shoqatës së të shurdhërve, Enver Kurtalani, paralajmëroi se protesta të ngjashme do të mbahen edhe në të ardhmen derisa kjo kategori të gëzojë të drejtat e tyre.

“Shpresoj që kjo protestë mos të ndalet këtu, thjesht të vazhdojë në të ardhmen që t’i arrijmë qëllimet tona drejt realizimit të objektivave të personave me aftësi të kufizuar”, tha Kurtalani

Edhe Ndalore Lika nga Down Syndrome Kosova u bëri thirrje institucioneve të vendit që të marrin parasysh kërkesat e kësaj kategorie.

“Në këtë ditë është thelbësore për komunitetin tonë, shpresojmë që protestat tona do të merren parasysh nga organet e vendit dhe cilësia e jetës së personave me aftësi të kufizuara në Kosovë do të përmirësohet, një nismë, e cila do të vazhdojë deri në zbatimin e ligjeve për realizimin e të drejtave tona”, tha Lika, raporton KP.