Arbëri

Fillon seanca ndaj Asim Cenajt, i akuzuar për “mosdurim kombëtar”...

Descriptive Text

Ka nisur seanca fillestare ndaj Asim Cenajt në Deçan, i akuzuar për vepër penale nxitje të urrejtjes ndëretnike, raporton KTV.

Në seancën gjyqësore të shqyrtimi fillestar shumë qytetarë para nisjes së seancës janë shprehur kundër kësaj aktakuzës së ngritur ndaj Asim Cenaj, zyrtar në Komunën e Deçanit .

Seanca ka filluar në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë për veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” nga neni 147 paragrafi 1 të KPRK-së, raporton KTV.

Rasti ka të bëjë me një ngjarje në fund të vitit të kaluar kur i dyshuari kishte marrë pjesë në një takim të Asamblesë Komunale që po mbahej në lidhje me personat e zhvendosur të komunitetit serb dhe malazez.

Aty Cenaj kishte folur se si ende ka shqiptarë të pagjetur.

“Unë që 18 vjet jam në ankth sepse nuk e di ku i kam eshtrat e babait tim, po ashtu edhe familjarët e 84 personave të zhdukur nga komuna e Deçanit janë në ankth, sepse nuk dinë për fatin e familjarëve të tyre”, pati thënë Cenaj në këtë takim ku ishin pjesëmarrës përfaqësues të komunës, KFOR-it dhe Policisë.

Ai pas kësaj ishte arrestuar dhe mbajtur në paraburgim derisa atë kohë kishte shumë reagime në mbrojtje të tij, përfshirë Komunën e Deçanit dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.