Arbëri

Detajet për arrestimin në Klinë të serbit të dyshuar për krime lufte

Descriptive Text

Policia e Kosovës e ka arrestuar dje pasdite një serb në komunën e Klinës. Milorad Zajiq u arrestua në Stacionin e Policisë në Klinë, pasi shkoi për t’u informuar për një vjedhje që i kishte ndodhur, raporton KTV.

Pas arrestimit në Klinë, ai është bartur në Prishtinë dhe dyshimet e Prokurorisë janë se ai lidhet me krime lufte ndaj shqiptarëve në vitet 1998/99.

Ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë e tij në Klinë, por nuk qëndroi gjatë.

Milorad Zajiq nga komuniteti serb, vërejti që në shtëpinë e tij në lagjen “Tikvesh”

kishin hyrë hajnat dhe për këtë ka denoncuar në polici.

“Milorad Zajiq me t’u kthyer në shtëpinë e tij në Komunën e Klinës, në të cilën kishte jetuar para luftës, kishte denoncuar në polici një vjedhje në shtëpi, por ai menjëherë është arrestuar pasi emri i tij gjendej në listën e personave të kërkuar për krime lufte në Kosovë.”

Ai fillimisht ishte ankuar në komunë, e cila e ka drejtuar në polici, ku edhe ka përfunduar në pranga.

Banorët e kësaj ane nuk dëshiruan të flasin para kamerës, por, sipas tyre, Zajiq para luftës kishte bashkëpunuar me drejtorin e policisë së Klinës kundër shqiptarëve të kësaj komune.

Madje, ata thonë se të dy ishin kushërinj mes vete.

Shefi i Zyrës për komunitete në komunën e Klinës, Ranko Kostiq, ka thënë se arrestimi është shumë shqetësues dhe se kjo shkon në kundërshtim të përpjekjeve për kthimin e komunitetit serb në Klinë.