Arbëri

Sipas KDI-së, Albin Kurti është politikani më model i të rinjve në Kosovë

Preferencat politike të të rinjve janë të lidhura ngushtë edhe me politikanët e tyre të preferuar, në kuptimin e një modeli që të rinjtë e shohin si më të duhurin për ta ndjekur.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), mbajti tryezën e diskutimit “Qëndrimet dhe sjelljet e votuesve të rinj”, gjatë së cilës u publikua Raporti i hulumtimit të opinionit lidhur me qëndrimet dhe preferencat politike të të rinjve.

Sipas këtij hulumtimi, megjithatë përqindja e të rinjve të cilët nuk e shohin asnjë politikan aktual si model që duhet ndjekur, është më e lartë se përqindja e politikanit që shihet si model.

Rezultatet tregojnë se 25.2 për qind e të rinjve nuk kanë asnjë politikan model.

Përqindje më e theksuar e të rinjve që nuk kanë asnjë politikan model vërehet rek të rinjtë e komunitetit serb, me 81 për qind. Kurse pjesa tjetër e të rinjve kanë dhënë mbi 50 emra të politikanëve që kanë model, shkruan Koha.net.

Kësaj liste i prin Albin Kurti, që shihet si model nga 13.7 për qind e të rinjve.

Pas tij, si politikani më popullor është Ramush Haradinaj me 7.8 për qind, Vjosa Osmani me 7.4 për qind, Shpend Ahmeti me 7.3 për qind, Hashim Thaçi me 7 për qind dhe Kadri Veseli me 5.8 për qind.

Bazuar në ndarjen etnike të të anketuarve, politikani model shqiptar është Albin Kurti me 14.4 për qind, ndërsa tek të rinjtë serb Slavko Simiq me 10 për qind.

Ndërkaq Ahmet Rushiti nga KDI, duke folur mbi të gjeturat e raporteve ka theksuar se KDI rekomandon që me qëllim të rritjes së nivelit të besimit ndaj institucioneve nga të rinjtë, të ketë përfshirje sa më të madhe të tyre në procesin e përditshëm vendimmarrës.

“Partitë politike duhet t’u ofrojnë të rinjve më shumë hapësirë gjatë përpilimit të platformave politike, duke mos i kufizuar ata në aktivitete të forumeve rinore. Në këtë mënyrë, do të kishte më shumë alternativa për zgjidhjen e problemeve që të rinjtë kanë”, ka theksuar ai.

Njëkohësisht ka potencuar se Qeveria duhet të adresojë me prioritet problemet e papunësisë tek të rinjtë, liberalizimit të vizave, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik dhe arsimit, probleme të cilat janë identifikuar në të dy hulumtimet.

“Rekomandimi tjetër i KDI-së ka të bëjë me atë që qeveria dhe institucionet e vendit të ndërmarrin hapa të shpejtë dhe të nevojshëm që të zhvillojnë plane afatgjate në zhvillimin ekonomik, të arsimit dhe të projekteve që përmirësojnë cilësinë e jetesës në Kosovë, dhe që të njëjtat plane të ofrojnë perspektivë të qartë për të rinjtë dhe të mos e konsiderojnë këtë kategori vetëm si një pjesë demografike që ka nevojë për projekte të vogla në kulturë dhe sport”, shtoi Rushiti ndër të tjera.