Arbëri

Kundërshtohet Ligji për Shoqëritë Tregtare, presidentit i kërkohet të mos e dekretojë

Sadete Gërbeshi është grua afariste, e cila ka nën menaxhim 27 punëtorë, prej tyre 25 gra dhe dy burra.

Por, e njëjta nuk pajtohet me amendamentin në Ligjin për Shoqëritë Tregtare, i cili i detyron bizneset që 40 për qind të bordit ta kenë gra, raporton KTV.

Gërbeshi thotë se pavarësisht padrejtësive me të cilat gratë ndërmarrëse ballafaqohen çdo dite në treg, kjo nuk është zgjidhje.

Fuqizimi i këtij neni sipas Gërbeshit, mund edhe t’i diskriminojë gratë.

Votimi i këtij amadamenti ka ngjallur debat edhe te shoqatat ekonomike, të cilat e quajnë atë shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Implementimi i këtyre pikave të nenit 34 të ligjit, për shoqëritë aksionare, është shkelje e nenit 10 dhe 7.2 të Kushtetutës.

Ndërkaq, Oda e Afarizmit të Kosovës i ka kërkuar Presidentit Hashim Thaçi që të mos e dekretojë këtë ligj.

Sipas tyre, ai është diskriminues dhe ndërhyrës në menaxhim të kompanive private.

KTV-ja ka pyetur Zyrën e Presidentit nëse do ta nënshkruajë apo do ta kthejë në Kuvend këtë ligj, por nuk ka marrë përgjigje.