Arbëri

Deputetët serbë nënshkruhen në fund të seancës për të marrë mëditjet – e njëjta nuk vlen për deputetët shqiptarë

Deputetët e Listës Serbe duket se po e shfrytëzojnë në maksimum mundësinë për të marrë para nga buxheti i Kosovës. Ata të martën, pa u penguar fare nga administrata e Kuvendit, kanë hyrë në fund të seancës dhe kanë nënshkruar kinse kanë qenë në seancë vetëm për t’i marrë mëditjet.

Një rast të tillë ka raportuar KosovaPress në vitin 2016, kur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovë, Ganimete Musliu nuk u lejua nga zyrtarja e administratës së Kuvendit që të nënshkruhet, pasi që nuk ishte në seancë, mirëpo, Musliu gjeti shpejt rrugën për t’ia arritur qëllimit. Shkoi nga dera tjetër, aty ku nuk e panë që erdhi nga jashtë dhe u nënshkrua.

E njëjta gjë nuk ndodhi edhe me deputetët e Listës Serbe, të cilët në seancën e së martës hynë dhe u nënshkruan pa asnjë telashe ndonëse gati kishte përfunduar seanca.

Seanca e së martës, e cila filloi në ora 10:00, nuk zgjati më shumë se 30 minuta në mungesë të konsensusit për të vazhduar seancën.

Kurse deputetët e Listës Serbe, në kohën kur seanca ishte në pauzë, konkretisht në minutën e 27:00, shihen duke hyrë nga dera, derisa vazhdojnë tek vendi ku nënshkruajnë se gjoja ishin në seancë.

Ata madje as që u penguan nga administrata. Kurse, pas nënshkrimit vazhduan përshëndetjet me deputetët, derisa seanca nuk vazhdoi më për shkak të mungesës së kuorumit.

Lidhur me këtë, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i ka thënë KosovaPress-it se deputetët kanë të drejtë të nënshkruajnë kur seanca është në vazhdim.

Sipas tij, në muajin prill, llogariten seancat që janë mbajtur gjatë muajit mars, dhe vetëm atëherë marrin mëditjet për seanca.

“Nuk e di nëse do të paguhen deputetët e Listës Serbe për seancën e së martës, pasi vetëm në muajin prill bëhet raporti”, ka thënë Krasniqi.