Arbëri

Vuçiq: Kompromis me Kosovën për të mbrojtur të ardhmen tonë, jo mitet

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i është drejtuar kombit serb në një konferencë për gazetarë lidhur me problemin e Kosovës duke kërkuar që zgjidhja të jetë një kompromis, për të mbrojtur interesat dhe jo mitet e Serbisë.

Ai, duke folur për problemin demografik, ka thënë se shteti i tij ka nevojë të bëjë më shumë progres për të mbijetuar si komb dhe bëri thirrje për paqe shekullore.

Adresimin për kombin e filloi me akuza për Kosovën pasi prej 5 vitesh nuk është themeluar asociacioni i komunave serbe. E vazhdoi me statistika demografike pasi tha se Serbia ka rënë nën 7 milionë banorë dhe humb 39 mijë qytetar në vit, raporton “ABCnews”.

Ai tha se është e nevojshme një klime paqeje për të krijuar siguri për jetë dhe se zgjidhja e problemit të Kosovës e ndihmon këtë.

“Shpesh kemi sjellje të pahijshme ndaj serbëve për Kosovën. Por, është e rëndësishme që të krijojmë ndjenjë paqeje për 100 vjet që njerëzit të ndjehen të sigurt për të ndenjur dhe për të krijuar familje këtu”, tha Vuçiq.

Para takimeve në Bruksel, presidenti Vuçiq tha se kompromisi është e vetmja mënyrë ose zgjidhje nuk do ketë. Në takim me Thaçin, Vuçiq tha se do të mbrojë interesat e Serbisë.

“Nuk pres asgjë pasi ne nuk kemi ç’të bëjmë të re përveç se të presim krijimin e asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës. Unë do të bisedoj dhe do të kujdesem për kompromis, jo të mbroj mitet por të ardhmen tonë”, deklaroi shefi i shtetit serb.

Ai tha se Serbia do të ketë rast patjetër të shprehet në referendum për Kosovën, ndërsa bëri thirrje për serbët që ta bojkotojnë Ushtrinë e Kosovës.