Miliona të shpenzuar kot në projekte për kthim të serbëve të zhvendosur

16 mars 2018 20:31

Që nga viti 2003 e tutje, organizata të ndryshme ndërkombëtare si dhe Qeveria e Kosovës kanë investuar miliona euro për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për kthimin e serbëve të cilët janë zhvendosur në luftën e fundit.

Por shumica e iniciativave kanë shkuar dëm, raporton KTV.

Shumë shtëpi e ndërtesa janë ndërtuar nëpër komuna të ndryshme për këtë qëllim, por në shumicën prej tyre asnjëherë nuk janë kthyer të zhvendosurit.

Raste të refuzimit të serbëve për t’u kthyer në shtëpitë e tyre të ndërtuara janë edhe në disa fshatra të Vushtrrisë.

Kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, u ka bërë thirrje banorëve serbë të kësaj ane që të kthehen në shtëpitë e tyre.

Qeveria e Kosovës, në krye me Ramush Haradinajn, tash së voni ka marrë vendim për të miratuar “Rregulloren për kthimin e personave të zhvendosur dhe zgjidhje të qëndrueshme”.

Kjo rregullore ka për qëllim të krijojë kushte të nevojshme për përkujdesen e përhershme të personave të zhvendosur në Kosovë dhe në rajon, si dhe përfshirjen e autoriteteve të tjera përkatëse në vendimmarrje, procedurat e zbatimit dhe kriteret për ndihmë për personat e zhvendosur.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, tash obligohet Ministria për Kthim, Komunitetet dhe komunat ta zbatojnë këtë rregullore, mirëpo, deri tash nuk është bërë asgjë lidhur me këtë.

E në Ministrinë për Kthim e Komunitete thonë se do ta zbatojnë, por që ende nuk kanë filluar të bëjnë diçka në lidhje me kthimin e të zhvendosurve përveç ndërtimit të shtëpive.

Shtëpi për qëllime të tilla janë ndërtuar edhe në Komunën e Ferizajt, Istogut, Pejës Deçanit, Mitrovicës, Fushë Kosovës e asaj të Shtërpcës.

Edhe në Zveçan, me investimet e Qeverisë serbe, është duke u ndërtuar lagjja “Lugina e Diellit”, me rreth 300 shtëpi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

jon22/03/2018 10:38

Po ata sjan budall me u kthy e me i rrjepe tu rrejt e vjedhe siq po ju bani Shqiptarve..

Shto koment

Të ngjashme