“Mbrojtësit e Kosovës e Metohisë” akuzojnë Vuçiqin se po e shet Kosovën për BE

“Mbrojtësit e Kosovës e Metohisë” akuzojnë Vuçiqin se po e shet Kosovën për BE

15 mars 2018 15:03

Beograd, 15 mars – Themeluesit e të ashtuquajturit “Apeli për mbrojtjen e Kosovës e Metohisë” (siç e quajnë ata Republikën e Kosovës në Beograd përmes një komunikate theksojnë se “pas bisedës qartësisht të pakëndshme” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA, Wess Mitchell, “përfundimisht ka dalë në shesh inskenimi shumë mujorë i autoriteteve serbe i quajtur ‘dialogu i brendshëm për Kosovën”, raportojnë mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.

Në këtë mënyrë, fatkeqësisht “konfirmohet droja e themeluesve të Apelit për mbrojtjen e Kosovës nga fundi i vitit të kaluar”, vazhdon komunikata, sipas të cilës këtë e ka bërë vetë Vuçiq, duke thënë “Pengesa më e madhe në rrugën tonë për në Bashkimin Europian është problemi i Kosovës, prandaj jemi të gatshëm për kompromis, por jo për poshtërim”.

Sipas interpretimeve të themeluesve të këtij Apeli, “shkak i këmbënguljes për të ashtuquajturën ‘marrëveshje historike me shqiptarët’ është ekskluzivisht hyrja në BE dhe jo synimi për gjoja heqjen e barrës së rëndë nga shpina e brezave të ardhshme, siç na betohej gjithë kohën presidenti i Serbisë”.

“Problemi i Kosovës dëshirohet ‘të zgjidhet’ tash, jo pse autoritetet tona e dinë si ta zgjidhin në favor të Serbisë, por pse është parakusht shantazhues i Brukselit dhe i Berlinit për anëtarësim eventual në Bashkimin Europian të trazuar nga kriza”, pohojnë themeluesit e Apelit, transmeton Koha.net.

Sipas tyre “Vuçiq përpiqet ta mbyllë secilin modalitet propagandues të gjunjëzimit përfundimtar të Serbisë para shantazhit perëndimor të popullit serb” si gjoja ‘kompromis’”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme