“Deputetët e Pavarur” e bëjnë Vetëvendosjen parti të tretë parlamentare

“Deputetët e Pavarur” e bëjnë Vetëvendosjen parti të tretë parlamentare

14 mars 2018 19:06

‘Grupi i Deputetëve të Pavarur’ është grupi më i ri parlamentar në Kuvend të Kosovës. Aty janë 12 deputetët e dorëhequr nga Vetëvendosje, kurse ky grup tani ka mbetur me vetëm 19 nga 32 deputetë sa kishte, raporton KTV.

Nga grupi është larguar edhe Donika Kadaj-Bujupi, e cila është kthyer në folenë e saj, Grupin Parlamentar të AAK-së

Zyrtarisht është ndarë Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

12 deputetë të saj kanë bërë kërkesë për formimin e grupit të ri parlamentar, i cili do të quhet ‘Grupi i Deputetëve të Pavarur’.

Shef i këtij grupi do të jetë Dardan Sejdiu, e pjesë e tij janë edhe:

Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shqipe Pantina.

Përmes kësaj shkrese njoftuese për kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe për Sekretarin e Kuvendit, grupi i ri parlamentar kërkon që sa më shpejt të vendoset për hapësirat e tyre, për deputetët dhe stafin politik.

LDK-ja tash kalon në pozitën si partia më e madhe në kuvend, me gjithsej 27 deputetë. Pas saj vjen PDK-ja me 23 e më pas VV-ja me 19.

Grupi i Deputetëve të Pavarur ka 12 ulëse e AAK-ja 11.

Lista Serbe ka 10 ulëse, ndërsa Nisma dhe Koalicioni 6+ kanë nga gjashtë deputetë.

Gjashtë deputetë të tjerë janë pa grup parlamentar.

KohaVisioni ka raportuar muajin e kaluar se deputetët e dorëhequr nga Vetëvendosje do të krijojnë grup të ri parlamentar.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme