Konsumi i verës në Shqipëri, 2 litra në vit për frymë

Konsumi i verës në Shqipëri, 2 litra në vit për frymë

14 mars 2018 15:59

E gjithë industria e verës, përfshirë prodhim vendas dhe import, vlerësohet të ketë një volum tregtar prej rreth 2 miliardë lekë apo 15 milionë euro, ku pjesën më të madhe e zë prodhimi i huaj. Shifrat e sakta të prodhimit të verës mungojnë, por prodhuesit vlerësojnë që në total të qarkullojnë në treg rreth 500 mijë shishe verë të llojeve të ndryshme.

Konsumi në Shqipëri vijon të jetë i ulët, megjithëse regjistrohet një rritje çdo vit pothuajse 10%, ndërsa renditemi në vendet e fundit të konsumit të verës në Europë. Kështu konsumi për individ, llogaritet mesatarisht dy litra në vit. Raporti në tregun e verës në Shqipëri është 70 për qind import dhe 30 për qind prodhim vendas, gjë që konsiderohet një lajm i mirë për prodhuesit shqiptar të verës pasi vetëm pak vite më parë ky raport ka qenë 90 për qind me 10 për qind.

Raporti i vendosur para disa vitesh ka qendruar në të njëjtat shifra edhe gjatë vitit 2017, duke bërë që prodhimi vendas të jetë i avashtë në fitimin e terrenit ndaj markave të huaja. Referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, sa i përket importeve, vihet re blerja nga jashtë në masë të madhe e verës prej rrushit të freskët, tregues që ka pësuar rritje gjatë vitit që lamë pas në krahasim me vitin paraardhës.

Kështu, është importuar rreth 4900 ton verë nga rrush i freskët gjatë vitit 2017 me vlerë 12 milion euro nga 4100 ton që është importuar gjatë 2016-ës me vlerë 8.6 milionë euro. Sipas prodhuesve dhe të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në të gjithë Shqipërinë janë rreth 100 kantina serioze, ndërsa vetëm rreth 10 prej tyre kanë prodhim sasior më të lartë dhe në normat e prodhimit të standardeve që kërkon kjo industri.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme