Arbëri

“Demarkacioni kalon gjatë kësaj jave”

Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi do të përfundojë gjatë kësaj jave, raporton KTV.

Kështu kanë deklaruar dy zëvendëskryeministrat e Kosovës Behgjet Pacolli dhe Enver Hoxhaj sipas të cilëve për këtë çështje janë në konsultime me të gjitha subjektet politike.

Enver Hoxhaj e Behgjet Pacolli kanë treguar se janë në konsultime me të gjitha partitë dhe do të ketë konsensus për këtë çështje edhe me Listën Serbe.

Zyrtarët qeveritarë megjithatë kanë thënë se i takon kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit dhe Kryesisë të vendosin për këtë.

Ndërkaq kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se nga çështja e demarkacionit, Kosova ka pasur dy zhvillime pozitive dhe ka dy rreziqe për gabim në hapa.

Sipas tij, presidentit Hashim Thaçi po i ngutet që krimin dhe tradhtinë e vet ta ratifikojë sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi i Kosovës ka dështuar 3 herë që të votojë për këtë marrëveshje, në mungesë votash.