Arbëri

Selimi: Humbësi më i madh është Shpend Ahmeti

Descriptive Text

Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, në Interaktiv të KTV-së, ka folur për zhvillimet e fundit në Lëvizjen të cilës i përket ai.

Duke e komentuar largimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga postet e tij në Lëvizjen Vetëvendosje, Selimi tha se kjo është humbje për Ahmetin, ndërsa theksoi se nuk e ka befasuar një vendim i tillë.

“Unë me Shpendin jemi miq. Por, nuk më ka befasuar duke e njohur nga afër. Ndoshta votuesit e Shpendit janë ndierë më të befasuar të cilët nuk e kanë ditur se Shpendi ka kohë që nuk merr pjesë në mbledhjet e Kryesisë. Tash jam i detyruar t’ia respektoj vendimin, por duhet t’i them se ka gabuar. Mendoj se ai tash e tutje duhet të mbajë fjalën para qytetarëve, t’i realizojë premtimet, t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve të Prishtinës, dhe ta përmbush mandatin e tij si kryetar i Prishtinës duke u realizuar premtimet e dhëna”, theksoi ai, raporton Koha.net.

“Mendoj se në këtë rast, në spektrin politik, më së shumti ka humbur Shpendi, sepse Shpendi nuk e ka një Lëvizje Vetëvendosje tjetër, e Lëvizja do ta ketë një kandidat tjetër në zgjedhjet e ardhshme. Unë i dëshiroj suksese në udhëheqjen e Prishtinës, sepse suksesi i tij në udhëheqje është në interes të qytetarëve”, u shpreh Selimi.

Duke folur për mundësinë e dorëheqjes së Shpend Ahmetit nga drejtimi i Prishtinës, Selimi tha se VV nuk e ka biseduar fare këtë temë.

“LVV nuk ka pasur probleme me Shpendin e as anasjelltas. Ky është vendim i tij, të cilin unë s’e përkrahi, ka gabuar, por shpresoj se mandatin do ta realizojë siç ka premtuar”, tha Selimi, duke shtuar se nuk e di arsyen e largimit.

“Nuk e besoj se do t’i bashkohet krahut tjetër”, tha ai, duke iu referuar grupit të quajtur tashmë “grupi i Molloqajt”.

“Nga Grupi Parlamentar i LVV-së deri më tani nuk ka dorëheqje. Ata kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e strukturës së organizatës politike, por jo nga GP dhe nga LVV. Ata janë anëtarë të VV-së dhe të GP-së. Nuk dua t’i konsideroj ndryshe, përveçse ashtu siç janë”, tha Selimi në Interaktiv.

Ai tregoi se në mbledhjen e sotme të GP të LVV-së, grupi i të dorëhequrve nuk kanë qenë të pranishëm.

“LVV nuk është ndarë. Ka dorëheqje, por nuk është ndarë. Ka dorëheqje nga strukturat e VV-së, pro jo nga GP. Duhet ta dimë se në gjendje më të rëndë është Kosova sesa LVV. Vetëvendosje nuk është e formuar për vetveten, por për Kosovën”, u shpreh deputeti i VV-së, Rexhep Selimi.


Selimi: Asnjë deputet i VV-së nuk e voton Marrëveshjen e demarkacionit

00:08 - Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se sikur koalicioni qeverisës t’i kishte votat, çështjen e demarkacionit do ta sillte në Kuvend qysh më 2015 kur u nënshkrua Marrëveshja me Malin e Zi.

“Marrëveshja e demarkacionit është nënshkruar më 26 gusht 2015. Po të ishte në rregull, do të votohej në shtator të vitit 2015. Fal rezistencës, argumenteve të VV-së, e në një kohë të opozitës së bashkuar, nuk është se kjo marrëveshje vetëm u ndal, por edhe u demaskua. Paralajmërimet për një seancë për demarkacionin po bëhen për shkak të bisedave që ka koalicioni qeverisës me Listën Serbe. Nuk ka një deputet që është në Lëvizjen Vetëvendosje e që do ta votojë demarkacionin. Nuk e di që ndonjëri nga deputetët tanë të ketë dhënë shenjë se do ta votojë demarkacionin”, ka thënë Selimi në Interaktiv të KTV-së, raporton Koha.net.

Ai foli në emër të të gjithë deputetëve të VV-së, pavarësisht se një pjesë e tyre kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre në Lëvizje.

“Që nga formimi i këtij koalicioni, u pa se vendimet e rëndësishme i marrin natën. Ka pasur raste kur seancat e ditës janë ndërprerë për të vazhduar nëpër restorante gjatë natës. Pata deklaruar se punët e natës nuk e di si i zë drita. E keqja është se marrëveshjet e natës nuk po bëhen në Kuvend, por në vende tjera, në vende të fshehta. Të gjitha vendimet e rëndësishme, duket se edhe kjo qeveri edhe e kaluara, i kanë bërë larg syve të qytetarëve”, u shpreh deputeti i VV-së.

Sipas tij, koalicioni qeverisës po dëshiron që marrëveshjet e rëndësisë së veçantë t’i bëjë pa prezencën dhe larg syve të qytetarëve.

Duke ia kujtuar deklaratën e deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, i cili javën e kaluar në Interaktiv tha se deputetët e VV-së e kanë gabim që nuk po e votojnë demarkacionin, Selimi tha se janë disa parametra që thonë se një marrëveshje ndërkombëtare hyn në fuqi pas votimit në Kuvend dhe nuk mund të ndryshohet njëanshëm.

“Si mund të pretendojmë se një marrëveshje e nënshkruar më 2015, marrëveshje e votuar në Kuvendin e Malit të Zi, të mund të ndryshohet njëanshëm nga Kuvendi i Kosovës. Këtu nuk kemi të bëjmë me marrëveshje tjetër. Është e njëjta me atë të vitit 2015”, tha ai.

Sipas Selimit, vetëm duke e kthyer në pikën zero këtë çështje, mund të arrihet deri te zgjidhja e saj.

“Kjo është Marrëveshja të cilën e kemi kundërshtuar me protesta masive, bashkë me AAK-në e Nismën. Ne nuk kemi ndryshuar dhe nuk ndryshojmë, sepse nuk ka ndryshuar Marrëveshja me Malin e Zi. Ajo që kanë nënshkruar dy presidentët, i Kosovës dhe i Malit të Zi, është vetëm deklaratë, dhe nuk është marrëveshje. Mali i Zi nuk e ndien veten të obliguar ndaj kësaj deklarate. Marrëveshja të cilës i referohet kjo deklaratë është miratuar në Parlamentin e Malit të Zi. Kjo deklaratë është munduar të përdoret si ambalazh gjoja se është ndryshuar marrëveshja me Malin e Zi. Ndoshta edhe për ta jusifikuar veten dikush me këtë”, tha ai.

“Mendoj se AAK dhe Nisma i kanë rënë pishman asaj që e kanë deklaruar më herët, duke u munduar që një deklaratë të presidentëve ta përdorin si ambalazh ndaj Marrëveshjes të cilën e kanë kundërshtuar”, theksoi Selimi.

“Pra, Marrëveshja e nënshkruar nga dy vendet në fjalë është ratifikuar në Parlamentin e Malit të Zi, dhe e njëjta nuk duhet të ratifikohet në Kuvendin tonë. Nëse ratifikohet nga ne, humbim territor... më shumë se 8 mijë hektarë”, shtoi ai.

Selimi tha se VV do të jetë kundër kësaj Marrëveshjeje, duke mos e konfirmuar nëse do të jenë prezentë në seancën kur do të votohet për këtë çështje.

Sipas Selimit, ka deputetë të koalicionit qeverisës që nuk do ta votojnë “humbjen e territorit”.

“Unë, edhe po të doja, edhe po të çmendesha, edhe po të shitesha, edhe po të mashtrohesha, nuk kam të drejtë të ndajë territor të Kosovës. Kemi argumente, kemi qëndrim se po humbet territori, por edhe sikur të donim, ne deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk kemi të drejtë të japim territor të Kosovës. Kushdo që e voton Marrëveshjen për demarkacion, po bën diçka që nuk ka të drejtë, sepse ne thjeshtë nuk kemi kontratë katër vjeçare me territorin, me Republikën, me shtetin, por kemi obligim që të mbrojmë interesin e shtetit siç jemi betuar si deputetë. Ne nuk kemi të drejtë as karshi të gjithë atyre brezave që e kanë mbrojtur territorin, siç nuk kemi të drejtë as t’ua mohojmë brezave të ardhshëm të shfrytëzojnë territorin e tyre”, u shpreh ai.


Selimi: S’mund të jetë rastësi rasti i vëllait tim me Policinë

00:10 - Ramadan Selimi, vëllai i deputetit Rexhep Selimi, ditë më parë u përfshi në një incident me Policinë e Kosovës.

Policia tha se Selimi e kishte sulmuar një polic. Mirëpo, deputeti Selimi tha se ka ndodhur krejtësisht e kundërta.

“Ndodhi një incident ku u përfshi edhe një nga vëllezërit e mi. Është rreth 60 vjeç. Në momentin e caktuar ishte me familjen e vet. Unë e dhashë një qëndrim, por jo shumë sqaruar. Kjo që ndodhi atë ditë kishte të bënte më shumë me aktivitetet e mia sesa me të tij. nëse flasim për rastësi, paska ndodhur rastësisht që një polic hetues të ndalë një veturë dhe të takohet me vëllanë tim në trafik. A paska qenë rastësi që prokurorja e rastit të jenë një prokurore me mbiemrin Lumezi? A është rastësi që rastin gjyqësor e mori hetuesia regjionale? Atë natë dolën lajme false, dhe pas gjithë asaj, policin në fjalë sot e kemi me aktakuzë penale, ndërsa vëllai im është i lirë. Jo që e ka sulmuar policin, por do ta shihni se ka qenë e kundërta. Atë ditë kam qenë i sulmuar unë në mënyrë indirekte pas asaj që kam nisur atë ditë në Parlamentin e Kosovës. Kam nisur një iniciativë ku përfshihet Prokuroria, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, drejtori i Drejtorisë së Krimeve Ekonomike, shefi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës dhe për rastësi, të gjitha këto institucione u lidhën mes vete. Sot, polici që e paska sulmuar vëllai im, është nën aktakuzë. Të presim përfundimin e hetimeve”, deklaroi deputeti Selimi në Interaktiv.

Tutje, ai foli edhe për vëllanë tjetër, Islam Selimin, por tha se nuk ka të drejtë t’i mbajë nën kontroll vëllezërit e tij.

Ai tha se krejt këto raportime po bëhen nga portalet për vizita.

“Vëllai im ka qenë viktimë e një incidenti të armatosur”, tha deputeti Selimi, ndërsa kërkoi që të bisedohet me ta më mirë.