Arbëri

ARKEP sqaron rastin e tarifave të shtrenjta telefonike nga Finlanda në Kosovë

Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka sqaruar se çmimet për thirrje ndërkombëtare hyrëse dhe dalëse caktohen nga vetë operatorët telefonikë.

Ky reagim i ARKEP-it vjen pas një lajmi që ka qarkulluar sot në media për tarifa të larta për thirrje në Kosovë nga një operator në Finlandë. Ky Autoritet ka njoftuar se çmimet e thirrjeve dalëse me pakicë nga çdo operator në botë caktohen nga vet ata operatorë në shtetet nga ata vijnë.

Por, ARKEP thotë se po pret sqarim nga ky operator për arsyen e kësaj tarife të lartë.

“ARKEP është duke e trajtuar rastin e paraqitur në media sot për thirrjen e bërë nga operatori finlandez Telia dhe me gjithë faktin se është jashtë përgjegjësive të vendimmarrëse të ARKEP kjo çështje, pasi që bëhet fjalë për çmimet me pakicë, të cilat i vendos vet operatori (në këtë rast Telia),jemi duke kërkuar informata shtesë nga operatori në fjalë për të parë se cila është arsyeja e mbi-tarifimit të këtij rasti për thirrjen nga ky operator në drejtim të Kosovës me kodin 383”, thuhet në njoftim.

Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare ka ritheksuar se marrja e kodit +383 për Kosovën ka eliminuar barrierat për thirrje dhe kanë krijuar pavarësi telefonike për Kosovën.

“ Operatorët tanë janë të lirë që direkt të negociojnë çmimet me shumicë (në mes operatorëve) për thirrjet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, çmimet e aplikuara nga operatorët e Republikës së Kosovës për operatorët ndërkombëtar nuk kanë ndryshuar, prandaj nuk ka asnjë argument të vetëm që thirrjet ndërkombëtare me pakicë në kodin 383 të jenë më të shtrenjta. Rrjedhimisht, implementimi i kodit 383 eliminon barrierat, të cilat kanë ekzistuar deri më tani me përdorimin e 3 kodeve”, thuhet tutje në njoftim.

Sot gjatë ditës u raportua se për një thirrje nga Finlanda në Kosovë, me kodin e ri telefonik +383, përdoruesit shpenzojnë 19,87 € në minutë.