Arbëri

SBASHK-u s’përjashton mundësinë e përshkallëzimit të grevës nëse Qeveria s’i merr seriozisht kërkesat e tyre

Zyrtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës kanë deklaruar se greva tërë ditore në sektorin e arsimit është si rezultat i mos përmbushjes së kërkesave të mësimdhënësve.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se kërkesa imediate dhe humane është që Ligji për vitet e 90-ta të dërgohet në qeveri. Po ashtu ai ka kërkuar që të merren parasysh edhe vërejtjet e sindikalistëve për Ligjin për Paga me qëllim që sipas tij, të mos degradohet më sektori i arsimit siç është bërë deri tash, raporton TV Arta.

Ymer Ymeri zyrtar ligjor në SBASHK ka thënë se ekzistojnë mundësitë buxhetore për të aprovuar Ligjin për vitet e 90-ta dhe për paga, por Qeveria nuk po shpreh vullnet për këtë.

Zyrtarë të SBASHK-ut ftuan që prindërit por edhe organizatat e shoqërive civile ta mbështesin sindikatën. Po ashtu nuk e përjashtuan mundësinë e përshkallëzimit të grevës. Më 13 prill paralajmëruan sërish grevë nëse, Qeveria nuk i merr seriozisht kërkesat. Të martën mësimi do të mbahet i rregullt.