Arbëri

Vjet 38 gazetarë të sulmuar, Tahiri rikujton lirinë e shprehjes

Sipas Asociacionit të Gazetarëve, në Kosovë gjatë vitit 2017 janë regjistruar 38 raste të sulmeve dhe kërcënimeve të gazetarëve, shifër kjo e cila është konsideruar në rritje krahasuar me vitet e kaluara, transmeton Kosovapress.

Ministri Tahiri ka thënë se një shoqëri demokratike dallohet për liri të shprehjes, ngase liria e shprehjes kontribuon luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Liria e shprehjes kontribuon edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe keqpërdorimeve të tjera të pozitës publike. Liria e shprehjes nuk është diçka që është subjekt i vullnetit të veçantë të autoriteteve, por është një e drejtë e pa kontestueshme, e definuar dhe e mbrojtur me Kushtetutën e republikës së Kosovës. Andaj, jemi të vetëdijshëm që ka ende hapësirë për përmirësim të kësaj gjendje, por jam i sigurt se institucionet e Kosovës, pavarësisht me brishtësinë e tyre jemi në rrugë të drejtë, në rrugë të mirë për të siguruar edhe infrastrukturë ligjore dhe mbrojte të duhur për lirinë e shprehjes. Produkti i një gazetari të lirë dhe i pa penguar në ushtrimin e profesionit, është kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e demokracisë së një vendi”, theksoi Tahiri.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm se keqbërësve, kriminelëve, njerëzve që janë të përfshirë në afera korruptive gjithmonë i pengon puna e gazetarëve.

“Gjatë këtij mandati sa do të jem ministër i drejtësisë, do të jem një partner i juaji dhe do të punojmë bashkërisht aty ku do të mundemi në kuadër të kapaciteteve, duke bërë infrastrukturën ligjore, që asnjë rrethanë liria e shprehjes të mos cenohet dhe puna e gazetarëve sa më pak të pengohet. E di që keqbërësve, kriminelëve, njerëzve që janë të involvuar në afera korruptive gjithmonë do t’ju pengoj, do të bëjnë përpjekjeje që t’ju ndalojnë, mirëpo në anën tjetër konsideroj se keni edhe përkrahës të fuqishëm si në institucione, në shoqëri civile dhe ju inkurajoj për punën e juaj të mëtutjeshme”, ka thënë Tahiri.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, deklaroi se është i vetëdijshëm se ka ende hapësirë për përmirësim të gjendjes së lirisë së shprehjes, ndërsa ofroi mbështetjen e tij të plotë që gazetarët të mos pengohen në punën e tyre.

Ai këto komente i bëri në tryezën për sigurinë e gazetarëve, organizuar nga Demokracia Plus në bashkëpunim me gazetën online Insajderi, ku është diskutuar për hapat institucionalë që po ndërmerren në zbulimin dhe ndjekjen penale të personave që kërcënojnë apo sulmojnë gazetarët gjatë kryerjes së punës së tyre.

Isuf Zejna nga Demokracia +, ka thënë se rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve kanë shënuar rritje në vitet e fundit. Kjo sipas tij, paraqet një problem të madhe për gazetarët që të shkruajnë ndaj atyre njerëzve që janë të fuqishëm ose të afërt me pushtetin.

Ai shtoi se gjykatat po dëshmojnë se kanë dorë të butë ndaj sulmuesve të gazetarëve, sepse ka pasur vendime me ndëshkime mjaft të ulëta.

“Kemi një rritje të numri të rasteve në 38 për sulme dhe kërcënime ndaj gazetarëve, përderisa vetëm një vit më herët në vitin 2016 kemi pasur vetëm 12 raste të raportuara, ndërsa në vitin 2013 nëse nuk gabohem nuk ka pasur edhe as një rast të raportuar të kërcënimeve ose sulmeve fizike ndaj gazetarëve. Kjo parqet një problem shumë të madh në atë se sa ndihen të lirë gazetarët për të raportuar dhe shkruar ndaj atyre personave që konsiderohen të fuqishëm ose të afërt me pushtetin”, ka thënë Zejna.

Besim Kelmendi nga Prokuroria, ka thënë se i vjen shumë keq për çdo rast që i ndodhin gazetarëve, sepse gazetarët shkruajnë për çdo të keqe që i bëhet qytetarëve të Kosovës. Ai ka thënë se nga viti 1999-2016 ka pasur mbi 120 gazetarë, prej tyre disa të vrarë dhe të kërcënuar.

Për këtë arsye, ai tha se po kërkohet të bëhet një polici gjyqësore e pavarur plotësisht nga politika.

“Kam kërkuar çdo herë të shqyrtojmë edhe mundësinë e formimit të policisë gjyqësore dhe jemi në një fazë kur po shqyrtojmë ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të procedurës penale dhe ky ndoshta do të jetë propozimi më serioz për të formuar një polici gjyqësore, e cila do të ishte e pavarur plotësisht nga politika”, ka thënë Kelmendi.

Në këtë tryezë, po ashtu, u tha se gazetarët nuk lejohen të kenë qasje në dokumente publike nëpër institucionet e shtetit.