Arbëri

Studentët nga Peja informohen për veprimtarinë dhe historikun e Kuvendit të Shqipërisë

Descriptive Text

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi, mirëpriti në mjediset e Kuvendit një grup studentësh nga Universiteti “Haxhi Zeka” i Pejës, përfaqësues të Unionit Studentor me të njëjtin emër.

Siç njofton komunikata, kjo veprimtari u organizua në përgjigje të interesimit të studentëve pejanë për të vizituar Kuvendin e Shqipërisë, për t’u njohur nga afër me funksionet, organizimin e punës dhe veprimtarinë parlamentare të Kuvendit dhe deputetëve, përfaqësues të popullit, si dhe për të takuar Kryetarin e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësinë e veçantë dhe vlerësoi përkushtimin e të rinjve për të qenë të angazhuar dhe aktivë në drejtim të sipërmarrjes së veprimtarive me karakter informues, me qëllim njohjen dhe edukimin mbi jetën politike dhe shoqërore në Kosovë, në Shqipëri, por dhe më gjerë.

Ruçi vuri në dukje se historia e parlamentarizmit në Shqipëri prej fillesave të saj është e lidhur ngushtë me zhvillimin e shtetit shqiptar dhe përballjen e sfidave të kohës, që prej fillesës së saj e deri në ditët e sotme.

“Sot, kur parlamentarizmi ka 98 vite të jetës së tij, ai ka pësuar ndryshime të vazhdueshme, të kthyera në një përvojë të konsoliduar, e cila është reflektuar jo vetëm në organizimin dhe funksionimin e Kuvendit si një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, por edhe në ngritjen dhe zhvillimin e kulturës dhe jetës parlamentare”, ka thënë ai.

Në këtë kontekst, Kryetari i Kuvendit u ndal në disa prej etapave më të rëndësishme të krijimit dhe evoluimit të parlamentarizmit në Shqipëri, duke filluar me Parlamentin e parë shqiptar dalë nga Kongresi i Lushnjës, i cili hodhi bazat e parlamentarizmit në vend.

Në këtë komunikim me studentët, Kryetari i Kuvendit, në mënyrë të përmbledhur i njohu studentët funksionet kryesore të Kuvendit, atë ligjvënës, kontrollues, zgjedhës dhe përfaqësues dhe me rregullat dhe procedurat parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.

Disa prej elementeve të cilat tërhoqën vëmendjen e të rinjve ishin përbërja dhe funksionimi i komisioneve parlamentare, përgatitja dhe zhvillimi i seancave plenare, përbërja e Kuvendit të Shqipërisë dhe formimit profesional i të zgjedhurve të popullit, përgatitja dhe zhvillimi i seancave dëgjimore, interpelancave, ngritja dhe funksionimi i komisioneve të posaçme, etj.

Në vijim, mes Kryetarit të Kuvendit dhe studentëve u zhvillua një bashkëbisedim i hapur, gjatë së cilit Ruçi iu përgjigj interesimit të vizitorëve. Një ndër çështjet ku studentët drejtuan pyetje ishte dhe zbatimi i Reformës në Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, për të cilën Kryetari i Kuvendit u shpreh se Reforma në Drejtësi ka qenë një përpjekje më shumë se dyvjeçare, është reforma më e madhe, më e plotë, më e rëndësishme për dhënien zgjidhje të problemeve me drejtësinë në vend, është reforma e cila ka filluar të ketë arritjet e saj, duke filluar me miratimin me konsensus të ndryshimeve kushtetuese, me ngritjen e organeve të Vettingut dhe me nisjen e tyre nga puna.

Kryetari i Kuvendit vuri në dukje tre efkte kryesore të këtij procesi. “Efekti i parë, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët kanë nisur të pyesin veten, janë apo s’janë për prokurorë. Efekti i dytë, 17 gjyqtarë dhe prokurorë deri më sot kanë deklaruar që refuzojnë t’i nënshtrohen vetingut. Kjo është me sanksion: nuk kalojnë në Vetting, por për 15 vjet nuk kanë të drejtë të punojnë në organet e drejtësisë. Ka pasur kërkesa të tilla, që nga ish-prokurori i Përgjithshëm, anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. E treta, është që organet e veting-ut po punojnë dhe ne presim rezultate pas përfundimit të këtij procesi, që do të zhvillojnë për gjithë trupën e gjyqësorit dhe prokurorisë”.

Biseda mes të rinjve dhe Kryetarit të Kuvendit vijoi me çështje që i takojnë bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe rrugës së tyre integruese drejt Bashkimit Europian. Kryetari i Kuvendit u shpreh besimplotë për realizimin e aspiratës sonë të përbashkët integruese dhe vuri në dukje se roli konstruktiv dhe stabilizues i shqiptarëve në rajon do të jetë nxitës për bashkëpunimin rajonal në mbështetje të këtij procesi për të ardhmen jo vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës, por të të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe çështja e ndihmës ekonomike në Shqipëri. Duke iu përgjigjur pyetjes së studentëve, Ruçi tha se ditën e enjte, datë 15 mars do të zhvillohet një mocion me debat për këtë çështje. Krahas kësaj, Ruçi shtoi se Kuvendi po shqyrton projektligjin “Për strehimin”, ku sipas tij, kjo nismë i shërben kategorive të njerëzve në nevojë.

Në përmbyllje të veprimtarisë, Kryetari i Kuvendit dhuroi për Universitetin e Pejës disa botime të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me veprimtarinë dhe historikun e tij.

Në përfundim, Shërbimet e Kuvendit prezantuan për herë të parë tek studentët nga Universiteti “Hazhi Zeka”në Pejë dy spote informuese mbi veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë, të realizuara me mbështetjen e OSBE-së në Tiranë, në kuadër të forcimit të transparencës parlamentare përmes rritjes së aksesit të publikut ndaj informacionit dhe dokumentacionit parlamentar.

Image