Arbëri

EULEX-i dhe Ambasada britanike bëjnë thirrje për zgjedhjen e drejtorit të IML-së

Katër muaj pas mbylljes së konkursit për drejtor të ri të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe dy proceseve të dështuara, sërish është premtuar proces i drejtë.

EULEX-i dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar që sa më parë të zgjidhet drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mënyrë që ky dikaster të rrisë kapacitetet e tij.

Ambasadori britanik, Ruair O’Connell, ka theksuar se fakti që dy herë është anuluar konkursi, nuk mund të cilësohet si dështim.

Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, ka folur për rëndësinë e rritjes së kapaciteteve të këtij Instituti.

Papadopoulou tha se ende nuk ka një marrëveshje finale për EULEX-in.

“Nuk mund të flasim se sa raste kanë mbetur. Ne do ta përkrahim dhe do të asistojmë në raste për Kosovën. Ende nuk e kemi zgjedhur mënyrën se si do t’i ndihmojmë Kosovën pas përfundimit të mandatit tonë. Do të doja ta falënderoja ministrin për përkushtimin dhe iniciativën për të ngritur kapacitetet e këtij Instituti, pasi që EULEX-i është duket u tërhequr gradualisht. Ne jemi duke kërkuar një partner, i cili është i besueshëm dhe shumë i aftë, në mënyrë që të mund t’ia dorëzojmë aktivitetet tona dhe të punojmë me ta”, ka thënë ajo.

Por, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se ende nuk është e qartë se cili do të jetë roli i EULEX, pas qershorit.

Ai ka premtuar se shumë shpejt IML-ja do të ketë një drejtor që do të zgjidhet me merita.

Konkursi për përzgjedhjen e drejtorit të ri të Institutit të Mjekësisë Ligjore kishte dështuar dy herë, për shkak të mosplotësimit të kritereve nga kandidatët.

Garës për të parin e Institutit të Mjekësisë Ligjore i ka hyrë edhe drejtori aktual.

5 nga 6 kandidatët janë specialistë të Mjekësisë Ligjore, si Arsim Gerxhaliu, Valon Hyseni, Naim Uka, Musa Gashi dhe Brigita Curri. Kurse, kandidati Driton Krasniqi, është hetues mjekësor i vdekjes.