Arbëri

Tahiri vizitoi të burgosurat në Lipjan, u kërkon të mendojnë për të ardhmen

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka vizituar sot Qendrën Korrektuese për të mitur dhe femra në Lipjan, për të qëndruar me gratë e burgosura në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Ministri Tahiri ka kërkuar nga gratë që mos të mendojnë për arsyet që i kanë sjell aty, por të mendojnë për të ardhmen që i pret jashtë.

“Duhet të hiqni dorë nga mendimi se nuk mund të ndryshoni jetën tuaj apo që nuk ia vlen të provoni. Ju inkurajoj që kohën që e kaloni këtu të mësoni ndonjë zanat dhe të dilni nga këtu me një vizion më të qartë për jetën tuaj” ka thënë ministri Tahiri, përcjell komunikata nga MeD.

Ministri Tahiri ka theksuar se është i vetëdijshëm që mundësitë që iu ofrohen për trajnime janë të vogla, por ka premtuar se do të punohet në krijimin e Njësive Ekonomike, të cilat do të ndihmojnë më shumë në gjendjen e tyre ekonomike.

Sipas ministrit, rendi publik nuk duhet të nënkuptoj vetëm masa të rritura sigurie, andaj drejtësia do të fokusohet në masa parandaluese.

“Synim i imi është që tërë koncepti i drejtësisë në vend, të orientohet në preventivë dhe edukim e jo vetëm në dënim” ka thënë Tahiri.

Ministri ka falënderuar për punën e tyre edhe personelin profesional të kësaj Qendre.