Alternativa për 8 Mars viziton gratë me aftësi të kufizuara dhe viktimat e dhunës në familje

Alternativa për 8 Mars viziton gratë me aftësi të kufizuara dhe viktimat e dhunës në familje

08 mars 2018 16:58

Një grup i grave të Alternativës në Gjakovë, sot kanë zhvilluar disa aktivitete për nder të Ditës së Gruas. Fillimisht është vizituar Qendra e Personave me Aftësi të Kufizuara “Handikos”, ku është zhvilluar një takim me gratë e kësaj qendre.

Me këtë rast, asamblistët dhe aktivistet e Alternatives, nga afër kanë uruar gratë e shoqatës Handikos, duke i siguruar ato që do angazhohen për përmirësimin e pozitës së gruas në të gjitha nivelet.

“Është nder dhe kënaqësi që të festojmë bashkë dhe të barabarta pavarësisht pozitave tona. Gjithashtu jemi shumë të lumtura që ky 8 Mars është festa e fundit që ju dhe gjithë anëtarët e Handikosit e shënoni në objektin e vjetër, pasi që së shpejti filloni aktivitetin në objektin e ri, donacion ky i siguruar nga një kryetare grua gjatë qeverisjes së kaluar në Gjakovë”, tha ndër të tjera shefja e grupit të asamblistëve të Alternativës, Diana Qarkaxhija.

Gjithashtu, me lule dhe ngrohtësi, grupi i grave të Alternativës kanë vizituar edhe disa nga viktimat e dhunës në familje të cilat aktualisht jetojnë në Shtëpinë e Sigurt. Me këtë rast, Alternativa i ka bërë thirrje Komunës së Gjakovës, “që mos të vazhdojë t’i privojë nga e drejta e banimit social pesë raste gra kryefamiljare, viktima të dhunës në familje të cilat kanë fituar të drejtën e banimit, si dhe 8 raste tjera gra kryefamiljare, me persona me aftësi të kufizuara, por të respektojë procesin ligjor dhe ti strehoj sa më shpejtë në banesat e banimit social”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme