Arbëri

Gratë kërkojnë barazi gjinore

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës dhe organizatat e tjera mbështetëse, organizuan marshin protestues “Marshojmë, s’festojmë” në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Shukrie Rexhepi nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka thënë se gratë në Kosovë janë të diskriminuara, veçanërisht ato në vende të punës, të cilat punojnë në kushte jo të favorshme.

“Vendet me pozita më të ulëta të punës janë ato që kryesisht i gjejnë gratë e në këtë kontekst ato janë të paguara më pak se që janë të paguar burrat. Kontratat në kohë të caktuar në masë të madhe i prekin sidomos gratë, pra janë më së shumti që i prekin me kontratë në kohë të caktuar, rate të tilla ndodhin shumë në të gjitha sektorët, kjo dukuri më së shpeshti është te sektori i bankave, ku grave pas një periudhe pas një stazhi tetë, dhjetë ndoshta edhe pas shumë vitesh i bëhet ndërprerja e kontratës së punës, me ç’rast gratë të moshës 30, 40-vjeçare nuk iu mbetet tjetër pos të presin moshën 65-vjeçare ta arrijë të drejtën e një ndihme sociale prej 70 euro”, tha Rexhepi.

Luljeta Aliu, aktiviste për barazi gjinore, ka thënë se pa fuqizimin ekonomik e social nuk do të ketë zhvillim as të barazisë shoqërore, transmeton kp.

Po ashtu ajo ka thënë se në pjesën e trashëgimisë në familje duhet të jenë edhe femrat për ndarjen e pasurisë së përbashkët.

“Pa fuqizimi ekonomik nuk do të ketë zhvillim as shoqëror, sepse 50 për qind të potencialit të qytetarëve nuk zhvillohet shteti, nuk zhvillohet ekonomia dhe asnjë gjë nuk do të ec përpara. Kërkojmë, sepse gratë e lypin hisen e tyre, vajzat e duan hisen e tyre, gratë e duan pjesën e tyre dhe pasuritë të përbashkët, sepse ne i kemi lind këta burra, ne i edukojmë këta burra”, ka thënë Aliu.

Ndërsa, Lenti Mustafa, aktivist, ka thënë se në Kosovë gratë në punësim marrin pjesë vetëm 13 për qind edhe pjesa tjetër duan punësim dhe zhvillim në shoqëri. Ai tha se mosrespektimi i të drejtave shoqërore dhe ekonomike thellon pabarazinë në shoqëri.

“Sot vetëm 13 për qind të grave janë të punësuara, kërkesa jonë është shumë e qartë, duam punë dhe zhvillim shoqëror, rinia nuk do të detyrohet ta lëshojë Kosovën, punën që kërkojmë duhet të jetë dinjitoze e mbrojtur me kontratë pune, e sigurt dhe pa rreziqe për diskriminim, lëndim dhe humbje jete. Mosrespektimi I të drejtave shoqërore dhe ekonomike thellon pabarazinë dhe mundëson drejtësinë shoqërore, prandaj ne protestojmë dhe nuk festojmë”, tha Mustafa.

Në kuadër të Ditës së Gruas, sot janë shënuar shumë aktivitete dhe janë organizuar tryeza për trajtimin e barazisë gjinore.