Arbëri

Irinejit i pëlqen “epiteti” Patrikana e Pejës për KOS-in, por jo të transferohet në Kosovë

Patriarku serb Irinej ka thënë se përkrah idenë që emrit zyrtar Kisha Ortodokse Serbe t’i shtohet “epiteti” Patrikana e Pejës, por ai ka shtuar se nuk do të zhvendoset në Kosovë, transmeton Koha.net.

“Patriarku nuk mund të transferohet në Pejë, Beogradi megjithatë është qendër administrative. Peja mbetet si histori e të kaluarës tonë ku kanë qenë patriarkë tanë, argjipeshkvit dhe pa marrë para sysh se çfarë krejt ka ndodhur, Peja mbetet qendër historike e kishës sonë. Çdo gjë që ndihmon që të ruhet historia, lidhja e kishë sonë me Pejën e Kosovën, ne e pranojmë”, ka thënë për "Kurir" patriarku.

Irinej ka theksuar se ndërrim i emrit është propozim shumë i mirë dhe se do të dëshironte që ai të pranohej.

Pos ndryshimit të emrit zyrtar të KOS-it, siç raporton ky medium serb, propozimi i ri për kushtetutën kishtare sjell edhe shumë risi.

Është paraparë që i pari i KOS-it të bartë emrin argjipeshkvi i Kishës Ortodokse Serbe, mitropolit i Beogradit e i Karlovcit dhe patriark i vendeve bregdetare serbe.

Në hartimin e kësaj kushtetute është formuar një komisioni i posaçëm në krye të të cilit është mitropoliti Amfilohije, i njohur me qëndrimet e tij kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve të saj.