Haradinaj e sheh histori të mbyllur tentativën për shfuqizimin e Speciales

Haradinaj e sheh histori të mbyllur tentativën për shfuqizimin e Speciales

07 mars 2018 23:33

00:05 - Daut Haradinaj, deputet i AAK-së, thotë se çështja e shfuqizimit të Gjykatës Speciale është histori e mbyllur.

Megjithatë, ai thotë se qëndrimi i tij do të jetë përherë kundër një gjykate të tillë.

“Ka pas iniciativë që s’ka kaluar. Kemi të drejtë sa herë të kemi numrat të thërrasim seancë të jashtëzakonshme. S’është rasti i parë as i fundit. S’ka pas mirëkuptimin e shumicës, tash është histori e mbyllur. E kam dhënë nënshkrimin dhe do ta jepja prapë. Nuk e ndryshoj qëndrimin. E kam quajtur gjykatë etnike, diskriminuese. Kemi kaluar shumë procese e t’i rikthehemi prapë një padrejtësie. Por të ardhmen tonë nuk do ta ndalë asnjë lloj gjykate. Nuk ka nevojë për frikë”, ka thënë ai. “Unë vet kam qenë njëri prej njerëzve që vullnetarisht kemi shkuar. E njoh veten dhe nuk i frikësohem kurrë drejtësisë sepse kam luftuar për vendin tim. Asnjë presje e asnjë pikë s’ia ndërroj të kaluarës. Asnjëherë asnjë qytetar i Kosovës nuk i ka ikur drejtësisë. Nëse në Serbi janë fshehur si minjtë gjeneralët e tyre, shqiptarët kanë qenë bashkëpunues e fatbardhësisht edhe triumfues”.

Haradinaj ka folur po ashtu edhe për raportimet e shpeshta që bëhen ndaj tij në Serbi duke thënë se “Serbia nuk e harron lehtë”.

“Serbia duhet të pajtohet që e ka humbur Kosovën. Duhet të mendojnë për të arhdmen e vet. Jam i sigurt që s’kanë të ardhme pa e njohur Kosovën”, ka thënë më tej ai.


Haradinaj: Ramushi do të dokumentojë se sa ka shpenzuar në pushime

23:57 - Daut Haradinaj, deputet i AAK-së, ka thënë se vëllai i tij, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, do të dokumentojë se sa ka shpenzuar në pushimin e shumëpërfolur në St. Moritz të Zvicrës.

Haradinaj ka thënë në Interaktiv të KTV-së se është shpifje çdo shumë që është përfolur, përpos asaj që ka deklaruar vetë kryeministri.

Ai ka thënë se së shpejti do të dalin me dokumente për të treguar saktësisht sa janë shpenzuar.

“Nuk është e vërtetë ajo që është folur. Kemi prit që do të ketë ftesë për seancë të jashtëzakonshme. do t’ia lë ta dëshmojë që nuk është e saktë. Është shpifje dhe deri diku fyerje për shumën e përmendur. Është bë rezervimi nga një agjenci në Prishtinë. Vendimi është dhe do t’u jepet cilitdo deputet që e kërkon. U kemi thënë mos e manipuloni popullin. Është rezervuar tre muaj më herët. Do të bëhet publike. Ai ka dhënë shifër sa ka shpenzuar por do të ofrojë edhe dëshmitë”, ka thënë Haradinaj.


Haradinaj: 90 për qind e deputetëve kanë gjuajtur me armë

23:54 - Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka komentuar gjuajtjen me armë nga zëvendëskryeministri Dardan Gashi.

Duke thënë se kjo është traditë te shqiptarët, Haradinaj ka shtuar se nga 120 deputetë, 90 për qind e tyre i ka parë teksa gjuajnë me armë.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se megjithatë gjuajtja me armë është trend në rënie.

“Kam gjuajtur kur ka qenë vakti, tash ua kam lënë tjerëve. E kemi kulturë, e kemi traditë. Nuk mendoj se është lajm i mirë me pa lajme të tilla, por 120 deputetë që kemi 90 për qind të tyre i kam pa duke gjuajtur. Pa asnjë përjashtim partiak. Bile ju kam thënë të mos më detyrojnë që të flas me emra. E di se kjo është praktikë në trende të rënies. Nëse shohim para dhjetëvjetësh dhe tash e shohim që jemi mirë. Përpara s’ka pas dasmë pa armë”, ka thënë ai.


Haradinaj: Nuk ka logjikë që deputeti të marrë rrogë dyfish më të madhe se kryeministri

23:49 - Daut Haradinaj, deputet i AAK-së dhe vëllai i kryeministrit, ka mbrojtur vendimin për rritje të pagave të kryeministrit dhe stafit të tij.

Sipas tij nuk ka logjikë që një deputet të ketë pagë dyfish më të madhe se kryeministri.

“E di se s’ka qenë vendim popullist, por është e palogjikshme që kryeministri ta ketë pagën e 85 ose 86 në ranglistën e shtetit. S’është e drejtë që unë të marr 3000 euro e kryeministri 1100. Dihet që fati i shteti bie mbi supet e tij. E dimë që përgjegjësia kryesore është e tij. Mendoni që këshilltari i zëvendëskryetarit të Kuvendit e ka pagën 3000 euro. Flasim për prokurorinë, gjykatat e të tjerat. Nëse flasim për shumën është temë tjetër. Nuk besoj që Ramush Haradinaj e ka rritur pagën për vete. Besoj që më shumë institucionet duhet të kenë kushte më të mira për punë. Vendimi nuk ishte popullist”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëse ky vendim ishte i drejtë apo jo, shteti duhet të krijojë kushte më të mira për punë në institucionet shtetërore.

“Duhet të krijojmë kushte më të mira për gjyqësor e institucione. Si shoqëri duhet të shohim përgjegjësi prej tyre. Ka shumë gjëra që Kosova i pret. Kemi pamjet e shëndetësisë. Duhet rritur buxheti atje. Nuk i kemi një spital të ri, 18 vjet pas luftës. Duhet të bëhet nivelizimi i pagave. Ka zjarrfikës që marrin pagë 150 euro. Te ne diskriminohen, ndërsa në vendet tjera janë heronj”, ka thënë ai.


Haradinaj: Me marrëveshjen mes presidentëve, Kosova kthen Kullën e Çakorrin dhe merr liberalizimin 

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se me marrëveshjen mes presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi për demarkacionin, Kosova ka siguruar fitore të dyfishtë.

Sipas tij, Kosova do të kthejë kufirin në Çakorr dhe Kullë, por edhe do të marrë liberalizimin e vizave.

“Nëse e kthejmë Çakorrin e Kullën dhe marrim liberalizimin e vizave është “win-win” (Fitore e dyfishtë). Fituese është Kosova”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se problemi që po vonohet votimi i demarkacionit është vetëm mungesa e numrave dhe se nuk ka mosmarrëveshje me LDK-në se si të shkruhet ligji.

Haradinaj ka thënë se më e mira do të ishte që deputetët e Vetëvendosjes të votonin pro marrëveshjes dhe që votimi të mos varet prej Listës Serbe, e cila ka kushte për të votuar. Ai ka thënë se numrat do të bëhen, por “pse të paguajmë çmim për një marrëveshje që mund të na sjellë dëme anësore”.

“Dëshira do të ishte të votonte Vetëvendosje meqë patëm një kauzë të përbashkët të kundërshtimit dhe kemi arritur një marrëveshje për rishikim të këtyre pikave kufitare. Edhe presioni i popullatës është i madh që t’i jepet vota pro për lëvizjen e lirë. Presioni dhe kërkesa jonë ka qenë rishikimi i Kullës dhe Çakorrit. Do të kthehen pikat aty ku ishin. Mendojmë se deklarata e presidentëve e bën të detyrueshme rishikimin. Do të mbërrijmë në Kullë e Çakorr. Qëllimi final është ta kthejmë kufirin aty. Mendoj se në këto rrethana Lista Serbe ka një dilemë se nëse do të votojë për këtë do të njohë edhe shtetin e Kosovës. Unë mendoj se do të duhej qysh moti ta pranonte. Pres që ka shumë deputetë të arsyeshëm dhe besoj se deputetë të Vetëvendosjes do të japin votë pro. Kam raport me plot që kanë mirëkuptim që e shohin si një zgjidhje e përbashkët”, ka thënë më tej ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme