Lansohet aplikacioni social “Pritjet Kufitare”

Lansohet aplikacioni social “Pritjet Kufitare”

07 mars 2018 15:51

Në praninë e komunitetit të teknologjisë informative, partnerëve, dhe medias, ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Open Data Kosovo dhe Girls Coding Kosova lansuan aplikacionin social “Pritjet Kufitare”.

Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, publikon vazhdimisht të dhëna për qytetarët në faqen e tyre zyrtare në internet. Ky ka qenë pikëfillimi i bashkëpunimit shumë të suksesshëm në mes të projektit Techstitution, të Open Data Kosovo, dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku si rezultat është ndërtuar aplikacioni social "Pritjet Kufitare".

Blerta Thaçi, drejtoreshë në Open Data Kosovo, u shpreh se me anë të zhvillimit të këtyre aplikacioneve përveç që po punojmë drejt digjitalizimit të institucioneve të administratës, “ne po angazhojmë edhe komunitetin e TI në procese demokratike duke u mësuar të rinjve shkathtësi praktike në zhvillim softuerik, siç janë Fortesa dhe Valoni, të cilët pas përfundimit të këtij trajnimi, treguan se si kjo eksperiencë ju ka ndihmuar të zhvillojnë kapacitetet e tyre në fushën e teknologjisë”.

Kjo iniciativë e të dhënave të hapura synon të ndihmojë qytetarët e Kosovës dhe më gjerë, që të planifikojnë udhëtimet e tyre ndërkufitare për të kursyer kohë, për të shmangur vonesat e trafikut, dhe për të kaluar kufijtë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Ky aplikacion miqësor i mbledh të dhënat nga 12 pikëkalimet kufitare dhe gjeneron video në kohë reale për të treguar statusin e çdo pike kufitare. Aplikacioni shfaq automatikisht të dhënat për profilet e rrjeteve sociale dhe është projektuar për të ndihmuar përdoruesit të marrin vendime në lëvizje.

Në ditët në vazhdim platforma do të jetë aktive në profilet e rrjeteve sociale zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, prandaj ju ftojmë që t’i ndiqni ato për të pas qasje në këto informata shumë të nevojshme. Këto të dhëna shërbejnë që të ndihmojnë që të rrisin efikasitetin e QKMK, që është edhe njëra prej kërkesave të marrëveshjes për stabilizim asociim si dhe agjendës së reformës evropiane.

“Ministria e Punëve të Brendshme, në kuadër të qendrës kombëtare për menaxhimin e kufirit, gjatë gjithë kohës monitoron pikat kufitare në Kosovë, por pak qytetarë janë të njoftuar me këtë qendër. Me anë të këtij aplikacioni ne shpresojmë të jemi më afër qytetarëve tanë, atdhetarëve, dhe gjithë turistëve, duke u ndihmuar që të planifikojnë udhëtimet e tyre ndërkufitare pa humbur shumë kohë”, u shpreh Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj.

Ky është një moment historik për Techstitution, projekt ky që po lidhë administratën publike me inovacionin.

“Me anë të Techstitution ne po nxisim zgjidhje digjitale në sfidat institucionale, gjë që po i mundëson efikasitet dhe komunikim më të mirë administratës me qytetarët”, konkludoi James Mugaju, zëvendësdrejtor i zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Ky aplikacion është projektuar dhe ndërtuar nga projekti i Techstitution i Open Data Kosovo, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Techstitution është një mjet për transferimin e njohurive dhe një kontribut i drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problemeve, duke siguruar zgjidhje të thjeshtë digjitale për sfidat komplekse institucionale. Techstitution është një projekt i zbatuar nga Open Data Kosovo dhe Girls Coding Kosova, iniciuar dhe mbështetur nga Zyra e UNICEF në Kosovë, me financim nga Austrian Development Agency.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme