Arbëri

Haradinaj uron 7 Marsin, kujton arsimin paralel

Kryeministri Ramush Haradinaj ka uruar mësuesit me rastin e ditës së tyre, 7 Marsit. Haradinaj me këtë rast ka kujtuar kohën kur zhvillohej arsimi paralel nëpër shtëpi private e bodrume në Kosovë, duke thënë se ky është një rast unik në botë.

Kryeministri tha se në këtë ditë secili kërkon fjalët më të bukura dhe domethënëse për mësuesit dhe mësueset.

“Një komb është i fortë e i zhvilluar për aq sa është i përparuar sistemi i tij i edukimit. Sot në Ditën e Mësuesit, secili nga ne kërkon fjalët më të bukura e domethënëse për mësueset dhe mësuesit, që na kanë ndihmuar të ecim në rrugën jetësore”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Ai ka vlerësuar se tani Kosovën e pret beteja e re e dijes.

“Kosova është rasti më unik në botë për arsim paralel, kur ishte i ndaluar për shqiptarët! Tani na pret beteja e re e dijes, me heronjtë e rinj, të Kosovës së re! Urime dhe faleminderit mësuesve të te gjithë brezave”, ka shkruar ai.