Arbëri

Presidenti Thaçi gradoi disa gjeneralë të FSK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të kompetencave të tij kushtetuese e ligjore dhe në pajtim me rekomandimin e përbashkët të Ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sot ka bërë gradime dhe emërime të reja në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Gjeneralbrigade Bashkim Jashari dhe gjeneralbrigade Zymer Halimi janë graduar në gjeneralmajorë.

Gjeneralbrigade Enver Cikaqi është emëruar në pozitën Komandant i Forcave Tokësore dhe Zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi, po ashtu, ka graduar edhe pesë kolonelë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në gradën gjeneralbrigade.

Kolonele Irfete Spahiu është graduar në gjeneralbrigade dhe është emëruar Komandante e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në gjeneralbrigade është graduar edhe koloneli i deritashëm Skënder Zhitia, i cili është emëruar në pozitën Drejtor i Departamentit të Personelit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Edhe kolonel Naim Haziri është graduar në gjeneralbrigade dhe është emëruar në pozitën Komandant i Brigadës së Mbështetjes Operacionale në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në gjeneralbrigade janë graduar edhe kolonelët Xhevahir Geci dhe Fadil Hadergjonaj.

Gjeneralbrigade Xhevahir Geci është emëruar në pozitën Zëvendëskomandant i Komandës së Forcave Tokësore në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kurse gjeneralbrigade Fadil Hadergjonaj është emëruar në pozitën Oficer Shtabi i Kabinetit të Ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Thaçi ka thënë se këto gradime të reja nuk janë të rastësishme, sepse edhe vetë Forca e Sigurisë së Kosovës është rritur dhe zhvilluar gjatë këtyre viteve.

“Është bërë një forcë moderne, shumetnike, me standarde të NATO-s. Si Forcë e Sigurisë, e gatshme për të marrë përgjegjësi shtesë, ajo gjithmonë ka nevojë për kuadro të reja, por edhe përvojën e të sapograduarve, që me angazhimin e tyre e kanë sjellë Forcën e Sigurisë së Kosovës në prag të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës. Bashkë me pjesëtarët e tjerë të FSK-së, të sapograduarit, jam i bindur se pas transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës, do të punojnë që forcën tonë, ushtrinë tonë, ta integrojnë edhe në NATO dhe bashkë me tërë forcat paqeruajtëse do të kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti u ka uruar suksese të graduarve dhe të emëruarve të sotëm në detyrat me përgjegjësi të reja.