Arbëri

Pacolli e sheh marrëveshjen politike SPD-CDU në Gjermani të rëndësishme edhe për Kosovën

Descriptive Text

Arritja e Marrëveshjes politike në mes Partisë Social Demokrate (SPD) dhe Partisë Kristian Demokrate (CDU), për formimin e Qeverisë së re dhe e cila i dha fund ngërçit politik gati gjashtë mujor është e një rëndësie të veçantë jo vetëm për stabilitetin politik në shtetin gjerman, atë të BE-së, Evropës Juglindore, por edhe për shtetin dhe qytetarët Kosovës.

Kështu ka vlerësuar Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

“Kosova, ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe të gjithanshëm me shtetin gjerman në të gjitha fushat dhe ne presim, që ta rrisim dhe t’i forcojmë edhe më tej themelet e këtij bashkëpunimi me Qeverinë e re. Roli dhe kontributi gjerman, jo vetëm në procesin e shtet-ndërtimit dhe integrimit të Kosovës në komunitetin ndërkombëtarë, por në të gjitha vendet e Evropës Juglindore ka qenë i pazëvendësueshëm në stabilitetin politik, sigurinë, integrimin, zhvillimin ekonomik dhe procesin e pajtimit, për të cilin ne jemi mirënjohës”, ka thenë Pacolli, përcjell MPJ.

Pacolli ka thenë se Kosova e sheh Gjermaninë si një shtet mik, aleat dhe partner dhe në këtë frymë do të vazhdojmë bashkëpunimin edhe në të ardhmën.

“Besoj, që do të kem një vizitë të shpejtë në Gjermani për t’i dhënë shtytje shtesë dhe sinergji të reja këtij partneriteti”, është shprehur kryediplomati kosovar Pacolli.

“Një urë lidhëse e fuqishme në marrëdhëniet në mes dy vendeve tona padyshim mbetet edhe diaspora jonë, e cila është e integruar mirë dhe mjaft aktive në jetën publike dhe institucionale”, ka thënë​ ai.