Arbëri

Veseli i bindur se Kosova do të ketë edhe ushtrinë edhe miqësinë me SHBA-në

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë në Konventën e 8-të Zgjedhore të PDK-së, se ushtria e Kosovës do të bëhet dhe askush mos t’i fërkojë duart që shteti i Kosovës nuk do të shkojë deri në fund, por gjithashtu askush mos të mendojë që do të prishet miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli tha se Kosova është dhe do të mbetet shtet i shpresës për të gjithë. Ai shtoi se shteti i Kosovës do të jetojë gjithmonë në hartën gjeopolitike dhe se asgjë nuk do ta ndalë rrugën e saj drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Veseli para 792 delegatëve, ka theksuar se në ditët e ardhshme ky subjekt do të marrë përgjegjësinë që politikën ta kthejë te qytetari e jo qytetarin kah politika.

“Nuk duhet të presim që punët tona t’i kryejnë të tjerët. Në vitet e fundit është harxhuar kohë dhe energji duke u marrë me tensionet e brendshme, duke lënë anash nevojat kryesore të qytetarëve. Kam filluar takime me qytetarë dhe ajo që kam parë është se deklaratat politike nuk reflektojnë në problemet e përditshme që kanë qytetarët tonë”, tha ai.