Arbëri

Osmani: AAK e frustruar rreth demarkacionit, akuzon LDK-në

Marrëveshja për demarkacionin ka ngjallë debat të ashpër mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

AAK-ja, dje ka reaguar se teksti i kësaj marrëveshjeje është ndryshuar në Komisionin për punë të Jashtme të Kuvendit, që kryesohet nga LDK-ja.

Ajo ka deklaruar se në tekstin e komisionit, jo vetëm që është ndërruar renditja e pikave të dakorduara, por dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror, është renditur si pikë e fundit dhe jashtë pjesës përbërëse të këtij ligji, duke e rrezikuar kështu që procesi të kthehet në pikën zero.

Kryetarja e këtij Komisioni Vjosa Osmani thotë se AAK, është e frustruar, pasi që nuk po arrin t’i sigurojë votat dhe se po përdor një gjuhë të turpshme ndaj LDK-së.

Osmani pohon se asnjë pikë, e as presje nuk i kanë ndryshuar marrëveshjes. Ndërsa thekson se nëse AAK ka ndërruar qëndrim rreth marrëveshjes së arritur, duhet të tregojë drejt dhe jo ta manipulojë opinionin në këtë mënyrë.

“AAK bën mirë që të sqaroj problemet brenda koalicionit qeverisës dhe mos të hedh akuza të pabaza. Dhe po ashtu të turpshme të anëtarëve të vet, në raport me LDK-në. Asnjë pikë. Asnjë presje nuk është ndryshuar në komision. Në qoftë se anëtarët e partive tjera kanë pasur dyshime se është ndryshuar, është dashur ose të votojnë kundër. Ose të kërkojnë sqarime shtesë. Ose të kërkojnë kohë shtesë. Mirëpo nëse ata tani e kanë ndryshuar qëndrimin rreth një marrëveshje, që është arritur të enjten, duhet të tregojnë drejtë. Dhe jo të manipulojnë me opinionin, kinse është bërë ndonjë ndryshim në komision”, tha ajo, transmeton.

Por, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se marrëveshja është ndryshuar nga LDK-ja. Ndërsa thekson se do të komunikojnë me këtë parti, në mënyrë që të rregullohet kjo çështje.

“Marrëveshja në parim është ajo që është prezantuar në fillim nga kryeministri, në konferencën për shtyp. Ndërsa më vonë është ndryshuar nga LDK-ja. Por do të komunikojmë që të rregullohet kjo çështje. Sepse ka të bëjë me renditjen e çështjeve që kanë të bëjnë me demarkacionin. I kanë ndryshuar pikat dhe renditjen e temave. Pika e parë është marrëveshja e 2015. Pika e dytë është komisioni i qeverisë dhe po ashtu pika e tretë është marrëveshja e dy presidentëve. Kjo është në tërësi. Ata e kanë ndryshuar renditjen dhe kanë ndryshuar pikat e nenit. Simbolikat kanë rëndësi nganjëherë. Prandaj teksti duhet të jetë ashtu siç ka qenë”, tha ai.