Arbëri

Sipas Kollçakut, liberalizimin e presin të sëmurët që kanë nevojë të shërohen jashtë

22:10 - Deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku vlerëson se sot Kosova gjendet në një situatë të rëndë si pasojë e keqqeverisjes prej pasluftës.

Sipas saj, Serbia qëndron shumë më mirë në raport me BE-në.

“Sot Serbia është shtet i privilegjuar për pranim në Bashkësinë Evropiane, i ka hap pas hapi kriteret dhe datat. Neve në MSA nuk na qasen si shtet. I referohen MSA-së, Gjykatës Speciale dhe Dialogut me Serbinë”, theksoi ajo.

Madje, sipas saj, edhe liberalizimin e vizave sot e presin vetëm qytetarët të cilët janë të sëmurë dhe mendojnë se si të bëjnë një zgjidhje e të dalin jashtë.


Tahiri: Integrimin e Kosovës në BE e pengojnë Vuçiqi dhe Kurti

20:52 - Sipas ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, po e pengon integrimin e Kosovës drejt BE-së në të njëjtën linjë me kryetarin serb Aleksandar Vuçiq.

Ai i vlerësoi si dy pengesa, një nga jashtë e një nga brenda.

“Janë dy pengesa, njëra nga jashtë dhe njëra nga brenda. Është kryetari i Serbisë i cili padyshim që e pengon çdo rrugë të integrimit të Kosovës dhe kryetarin e LVV-së i cili në linjë të njëjtë e pengon integrimin e Kosovës”, ka thënë ministri Tahiri.

Tahiri i bindur theksoi se për Kosovën kushti i vetëm për liberalizim të vizave është ratifikimi i demarkacionit.

Sipas tij, lufta ndaj korrupsionit dhe sundimi i ligjit nuk mund të jetë më kusht.

“Ne kemi bërë progres të mjaftueshëm dhe kjo çështje nuk është diçka që mund ta shohim çdo ditë në media sepse është çështje sensitive”, u shpreh ai.

Ministri Tahiri tha se gjatë ditës së sotme presidenti Thaçi dorëzoi një raport i cili dëshmon një progres të tillë zyrtarëve të Komisionit Evropian.

 


Deda për Vetëvendosjen: Askush s’ka të drejtë ta mbajë në burg popullin e Kosovës

20:45 - Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda, ka shprehur shpreh keqardhje se Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes nuk po i bashkohet konsensusit për marrëveshjen e demarkacionit.

Ai në Rubikon të KTV-së ka thënë se tash nuk mund të flitet për asnjë argument karshi kësaj teme pasi nuk qëndrojnë më.

Sipas Dedës, zotimi mes dy shteteve e zgjidh krejt ngërçin e deritashëm.

“Më vjen shumë keq që Vetëvendosje nuk bën pjesë në këtë konsensus. Nuk ka më dilema për demarkacion, dihet se duhet të ratifikohet”, ka thënë Deda.

“Ne tash e kemi zotimin e Kosovës e Malit të Zi se do të punohet përmes trupit të përbashkët dhe shprehimisht thuhet të korrigjohet kufiri. Pra pjesa kosovare duhet të nxjerrë dokumente të cilat dëshmojnë pronësinë tonë. Mbrëmë tash po mbërrijmë në një pikë pozitive ku nuk ka kush çka thotë më dhe ne për herë të tretë nuk mbërrijmë të ratifikojmë. Besoj shumë që do të ratifikohet javën e ardhshme sepse Kosova nuk ka kohë me humb më”, ka thënë Deda.

“Nuk ka të drejt askush prej neve me mbajt në burg popullin e Kosovës”, shtoi ai.

Deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku ritheksoi se partia që ajo përfaqëson vazhdon të kundërshtojë këtë marrëveshje duke e cilësuar si të dëmshme për Kosovën.

“Ne kemi kërkuar edhe një komision hetimor.. në këtë rast e gjithë përgjegjësia bie mbi qeverinë, një qeveri e cila nga taksat e qytetarëve e paguan një komision për tu marrë me komisionin paraprak.”, ka thënë ajo.

“Treshja e ka shumë të qartë se me çfarë politikanë në Kosovë ka të bëjë, me tipin e atyre politikanëve që mund të ftojnë seanca në mesnatë”, ka shtuar ajo.

Kujtojmë se sot Kuvendi i Kosovës dështoi për herë të tretë brenda një jave që ta kalojë demarkacionin me Malin e Zi. Koalicioni nuk i siguroi edhe dy votat e nevojshme për ta kaluar marrëveshjen. Lista Serbe sërish nuk ka marrë pjesë në seancë, por ka zhvilluar takim në qeveri me krerët më të lartë të shtetit.

Po ashtu, sot në Kosovë qëndruan edhe president i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker bashkë me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mohgerini, dhe komisionarin Johanes Hahn.


Hoxha: Kosova dështoi të fuqizonte vizitën e evropianëve me mosratifikimin e demarkacionit

Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, në Rubikon të KTV-së theksoi se porositë e treshes evropiane në vizitën e tyre sot në Kosovë gjatë turneut ballkanik ishin më se të qarta.

Sipas saj, u përsërit se ata janë të hapur për Kosovën e cila si rrjedhojë duhet të kryejë detyrat e veta. Por, Hoxha thotë se me mosratifikimin e demarkacionit, Kosova dështoi të fuqizonte edhe më shumë këtë vizitë.

“U përsërit se dialogu dhe krejt procesi i integrimit evropian është një proces i cili varet nga meritat individuale të secilit shtet. Pra nëse ne arrijmë t’i plotësojmë detyrat tona atëherë dyert e tyre janë të hapura”, ka thënë ajo.

“Fatkeqësisht kishim seancën e cila do të krijonte një momentum të ri dhe ta shfrytëzonim këtë moment dhe ta bënim edhe më të fuqishme këtë vizitë”, shtoi ministrja Hoxha.