Arbëri

Veseli e Delawie pajtohen se tash është afati i fundit që Kosova ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është takuar me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, për të diskutuar për seancën e nesërme plenare ku në rend dite është çështja e demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas njoftimit nga Kuvendi, Veseli e ka informuar Delawien për takimet dhe konsensusin e arritur së fundmi mes pozitës dhe LDK-së për këtë marrëveshje.

Veseli u shpreh optimist se kjo marrëveshje do të miratohet të mërkurën, ndërsa u pajtua me Delawien se ky është momenti i fundit që Kosova ta ratifikojë demarkacionin, “për t’i zënë afatet e nevojshme për heqjen e vizave gjatë këtij viti”.

Në njoftim po ashtu thuhet se Delawie ka vlerësuar rolin e Veselit për gjetjen e konsensusit, ndërsa ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Kosovën në të gjitha fushat.