Arbëri

Apostolova dhe Veseli bëjnë thirrje për votim të demarkacionit

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, është pritur në një takim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Pas takimit, Apostolova ka thënë se ditëve të fundit janë ndërmarrë dy hapa të rëndësishëm për demarkacionin.

“I pari, deklarata e presidentëve dhe e dyta marrëveshja mes pothuajse të gjitha partive, që mbështesim ratifikim e demarkacionit. Është afër që të zgjidhet dhe me rëndësi që votimi të bëhet nesër. Duhet të vazhdohet me luftën kundër korrupsionit, por demarkimi është hapi para për liberalizim. Mos e humbni rastin për ta ratifikuar demarkacionin. Na ndihmoni në mënyrë që ne të mund t’u ndihmojmë”, tha Apostolova, raporton “Koha Ditore”.

Ndërkaq, Kadri Veseli tha se Kosova nuk do të humbë më raste për liberalizim të vizave për qytetarët e vendit.

“Jemi të orientuar drejt BE-së dhe do të përmbushim çdo kriter. Liberalizimi duhet të ndodhë, në të njëjtën kohë edhe demarkacioni do të votohet. Qytetarët presin dhe ne do ta sjellim lajmin e mirë nesër duke e votuar Marrëveshjen. Kemi bërë shumë për të arritur konsensusin. Kur t'i përmbushim obligimet tona presim përkrahjen e BE-së. Nuk duhet të vonohemi as të humbim raste më tej. Patriotizëm orientimi për perëndim. Kush është për ta zvogëluar prezencën e Rusisë dhe të forcojmë lidhjen me perëndimin, duhet të votojë nesër”, theksoi Veseli.