Arbëri

Daçiq: Kosova të tregojë a do a s’do të zbatojë marrëveshjen e Brukselit

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Beogradi nuk do të lejojë ndryshime në marrëveshjen të cilën, sipas tij, Prishtina planifikon të prezantojë në lidhje me Asociacionin e komunave serbe në Kosovë.

Daçiq, në emisionin “Sedmica” në “Radio Beograd”, ka deklaruar nuk do të pranohet as edhe një ndryshim në marrëveshje.

“Prishtina po harron se marrëveshjen e Brukselit e ka nënshkruar atëherë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, dhe unë. Në të është qartë e definuar se çfarë duhet bërë dhe cilat janë kompetencat. Prishtina duhet të tregojë qartë a do a s’do. Asnjë korrigjim nuk vjen në shprehje. Nëse ndryshon diçka, atëherë e tërë marrëveshja e Brukselit bie”, tha Daçiq, raporton B92, transmeton Koha.net.

Ai ka vlerësuar se Prishtina “po luan me zjarrin” sepse nuk e kupton se faktori serb në këtë moment është “faktor stabiliteti në Kosovë e Metohi”.

“Dhe, edhe përkundër të gjitha problemeve që ekzistojnë, ne marrim pjesë në qeverinë e Kosovës”, ka thënë Daçiq, dhe ka shtuar se pyetja e duhur është nëse Prishtina dëshiron stabilitet apo jo.

Ai ka përmendur se formulimin “marrëveshje ligjërisht e obligueshme” e ka shpikur Stefan Fule, në kohën kur është miratuar marrëveshja e Brukselit.

“Ai e kishte për detyrë të përgatiste një lloj dokumenti. Nuk i shkoi për dore që të gjente diçka që do të ishte e pranueshme nga të gjithë, për sa i përket Kosovës e Metohisë. Dhe pastaj shpiku atë ‘marrëveshjen ligjërisht të obligueshme’ dhe të gjithë u pajtuan sepse askush se dinte për çka bëhet fjalë. Dhe të gjithë janë të kënaqur sepse të gjithë mund ta interpretojnë në mënyrën e vet”, tha ministri serb i Punëve të Jashtme.

Megjithatë, ai tha se koha po kalon dhe duhet bërë diçka konkrete.

Sipas tij, në Kosovë nuk po dëshirojnë që të ketë dialog për një zgjidhje të qëndrueshme sepse “po mendojnë se e kanë shpallur shtetin e tyre dhe se Beogradi vetëm duhet ta njohë atë shtet”.

Daçiq thotë se tashmë Serbia e ka më të lehtë të bisedojë për Kosovën me administratën e tanishme amerikane sesa me paraardhësit.

“Ata dëshirojnë një strategji ‘win-win’, që do të thotë se të gjithë duhet të përfitojnë. Amerikanët nuk dëshirojnë të vihet deri tek probleme të reja, dhe me vëmendje të lartë kanë dëgjuar iniciativat tona për zgjidhje të qëndrueshme të problemit të Kosovës”, shtoi ai.