Arbëri

KEK-u e KEDS-i fajësojnë njëri-tjetrin për reduktimet e sotme

Descriptive Text

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), përmes një njoftimi, ka reaguar ndaj KEDS-it/KESCO-s, të cilët, sipas tyre, kanë keqinformuar opinionin publik lidhur me furnizimin me energji elektrike.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, në një prononcim për Koha.net, gjatë ditës kishte thënë se reduktimet që ndodhën sot në gjithë Kosovën janë për shkak të daljes nga sistemi të një blloku të Korporatës.

Lidhur me këtë, KEK-u i ka bërë thirrje publike ZRRE-së si rregullator i sektorit të ndërhyjë dhe të ndalojë veprimet e papërgjegjshme të mashtrimeve publike të operatorëve të licencuar KEDS/KESCO si furnizues publik.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin publik se mungesa e furnizimit me energji elektrike, sot gjatë tërë ditës është papërgjegjësi dhe dështim i KEDS/KESCO dhe jo i KEK-ut apo KOSTT-it, apo gjoja daljes nga sistemi të ‘Bllokut B1’ të ‘Kosovës B’, siç spekuluan me herët në media zyrtarët e KEDS/KESCO-s”, thuhet në njoftim.

Në reagim më tej thuhet se KEK-u ka njoftuar operatorët për planin e prodhimit sot dhe nga ky moment nuk ka asnjë përgjegjësi për furnizim të qytetarëve me energji elektrike.

“KEK-u, siç edhe është i obliguar me kontratë dhe duke respektuar rregullat e tregut në fuqi, me kohë, që dje në mëngjes ka njoftuar operatorët për planin e prodhimit sot dhe nga ky moment nuk ka asnjë përgjegjësi për furnizim të qytetarëve me energji elektrike. Përndryshe, për sa i përket njësisë ‘B1’, përkundër faktit se sipas planit ajo duhej të lëshohej në punë nesër në mëngjes, falë angazhimit maksimal, në mënyrë që qytetarët të mos vuajnë pasojat e dështimeve të KEDS/KESCO, KEK-u ka lëshuar në punë këtë njësi sot në ora 20:45”, thuhet më tej në reagim.

“Duke tentuar të mbulojë dështimet e veta në përmbushjen e obligimeve kontraktuale dhe përgjegjësive që ka me kontratë për furnizim të qytetarëve me energji elektrike, në vazhdimësi ky operator fajin dhe përgjegjësinë po tenton ta gjuajë tek akterët tjerë siç janë KEK-u apo KOSTT-i, siç ndodhi edhe sot ku gjatë tërë ditës la në terr pjesën më të madhe të qytetarëve. Në këtë rast, i bëjmë thirrje publike ZRRE-së si rregullator i sektorit të ndërhyjë dhe të ndalojë veprimet e papërgjegjshme të mashtrimeve publike të operatorëve të licencuar KEDS/KESCO si furnizues publik”, ka thënë KEK-u në këtë njoftim dërguar mediave.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë gjatë ditës së sotme se arsyet e reduktimeve të sotme kanë qenë si pasojë e daljes nga prodhimi i njësisë B1.

“Me kërkesë të KOSTT-it ne po aplikojmë reduktime. Kjo po ndodhë sepse ka devijim nga prodhimi i planifikuar, pra një njësi e KEK-ut, ajo B1, ka rënë dhe për pasojë ne po pranojmë 250 MW/h më pak”, ka thënë Buzhala në një përgjigje me shkrim për Koha.net.

Ai po ashtu ka bërë me dije se KEDS/KESCO është duke e bërë maksimumin që të ketë furnizim stabil me energji elektrike, mirëpo, sipas tij, kjo “është përgjegjësi e KOSTT-it si rrrgullator i sistemit dhe eventualisht KEK-u të sigurojë energjinë e munguar kur ka devijim nga prodhimi i planifikuar”.